Insajderi
Lajme

Dosja e SPAK’ut: Tokat e Zvërnecit dhe takimet e Artur Shehut me narkotrafikantët më të njohur në Shqipëri

Insajderi
16 June 2026 - 16:48
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dosja e SPAK’ut: Tokat e Zvërnecit dhe takimet e Artur Shehut me narkotrafikantët më të njohur në Shqipëri
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përmes një operacion të gjerë, goditi një nga organizatat më të mëdha kriminale, ku kërkoi urdhërarreste për disa nga narkotrafikantët më të njohur në Shqipëri, e ku dyshohen se aktivitetet e tyre kriminale janë pastruar nga biznesmenë si, Artur Shehu – i cili ka një pjesë të konsiderueshme të tokave në Zvërnec.

GJKKO vendosi sekuestroi mbi 128.3 milionë euro në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e Zvërnecit.

Sipas dokumentit të siguruar nga Periskopi, pjesa më e madhe e shumës së sekuestruar, 110.2 milionë euro, lidhet me kontratën e datës 24 prill 2026 mes Artur Shehut dhe kompanisë “Albanian Land Development” sh.p.k.

Dy transaksionet e tjera me vlerë 10 milionë euro dhe 8 milionë euro, janë të lidhura me Ferdinand Sulajn dhe Burbuqe Sulajn, gjithashtu në marrëdhënie kontraktore me të njëjtën kompani. Në total, vlera e fondeve të bllokuara arrin në 128.3 milionë euro.

Në dosje, thuhet se pronat në Akërni dhe Zvërnec rezultojnë fillimisht të regjistruara në emër të trashëgimtarëve të tij dhe më pas në emrin e vetë Artur Shehut.

Sipas dosjes, rezulton se ky grup i dyshuar kriminal, gjatë periudhës 2018-2021, kishin kryer takime të shpeshta në Aruba, Spanjë, Monako e Gjermani, mes trafikantëve dhe biznesmenëve, ku rol kyç del të ketë biznesmeni Artur Shehu për të koordinuar veprimet për trafikun e drogës, logjistikën e trafikut të kokainës në Amerikën Latine, transaksionet me tokat në kryeqytet dhe bregdet, si dhe projektet e zhvillimit për kulla dhe resorte turistike.

“Këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike”, thuhet në dosje.

Fillimisht, paratë transportoheshin fizikisht në Shqipëri nëpërmjet sistemit Haëala. Më pas vinte manipulimi i pronësisë, kryesisht me falsifikim të dokumenteve historike, si në rastin e tokave në Zvërnec.

Prokuroria ka evidentuar falsifikime masive me tokat në bregdet dhe pastrimin e parave të trafikut ndërkombëtar të kokainës në kullat që po ndërtohen në Tiranë dhe në projekte të tjera zhvillimi, përfshirë edhe tokat në Zvërnec, ku pritet të ndërtohet resorti i shumëpërfolur.

Si nisën protestat për Zvërnecin në Shqipëri?

Protestat për Zvërnecin kanë shpërthyer në Shqipëri gjatë muajit maj dhe qershor 2026, pas kundërshtimeve ndaj një projekti të madh turistik që parashihet të zhvillohet në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro–Nartë dhe në afërsi të Zvërnecit, pranë Vlorës.

Projekti, i lidhur me investitorë ndërkombëtarë dhe i raportuar nga mediat si i mbështetur nga biznesmeni amerikan Jared Kushner, ka nxitur reagime të forta nga banorët lokalë, organizatat mjedisore dhe shoqëria civile. Kundërshtarët e projektit pretendojnë se ndërtimet e planifikuara rrezikojnë një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare të Shqipërisë, ku ndodhet Laguna e Nartës, habitat i flamingove dhe qindra specieve të tjera të mbrojtura.

Aktivistët kanë ngritur shqetësime edhe për kufizimin e qasjes publike në plazhe dhe për mungesën e transparencës në procesin e dhënies së tokave për zhvillim turistik.

Një tjetër element që ka ushqyer protestat janë pretendimet e banorëve për mosmarrëveshje pronësore në zonën e Zvërnecit.

Disa familje lokale kanë deklaruar se toka që po zhvillohet është objekt i proceseve gjyqësore dhe se pronësia e saj vazhdon të kontestohet.

Këto pretendime janë bërë pjesë e debatit publik dhe kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Protestat, të organizuara fillimisht në Zvërnec dhe më pas në Tiranë, janë shndërruar gradualisht në një lëvizje më të gjerë qytetare.

Protestuesit kanë kërkuar anulimin e projektit, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe më shumë transparencë në marrëdhëniet mes qeverisë dhe investitorëve strategjikë.

Në protestat e mbajtura në kryeqytet janë përdorur slogane si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Anuloni projektin”, ndërsa mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në marshime të njëpasnjëshme.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark