Padia e Kryeprokurorit të Apelit ndaj KPK-së zbulon një luftë të paprecedentë interesash për t’u pozicionuar në strukturat fitimprurëse të futbollit kosovar.
Vendimi i Këshillit për ta refuzuar atë dhe për të caktuar një prokurore tjetër ka ngritur dyshime të forta për kritere selektive dhe trajtim të pabarabartë. Ky rast shpërfaq hapur se si institucionet sportive po kthehen në magnet për njerëzit e ligjit që kërkojnë mëditje dhe benefite dytësore.
Gazeta Insajderi
Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, ka ngritur padi ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kundërshtuar vendimin me të cilin iu refuzua kërkesa për t’u caktuar si përgjegjës për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të Komisionit të Apelit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Ndërkohë, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka deklaruar se vendimi në fjalë është marrë në mënyrë kolegjiale dhe në përputhje me Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e KPK-së.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte refuzuar në mbledhjen e 18 majit 2026 propozimin për caktimin e Agron Bajramit si përgjegjës për rishikimin e vendimeve të Komisionit të Apelit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Në atë takim, anëtari Visar Krasniqi kishte thënë se është e palogjikshme që Bajrami ka propozuar veten për këtë Bord, kur dihet se nga angazhimet aty realizon edhe të ardhura. Në anën tjetër, anëtari Milot Krasniqi kishte deklaruar se propozimi është i Federatës dhe se Bajrami ka kërkuar vetëm pëlqimin nga KPK.
Ndërkaq, në vendimin e KPK-së të publikuar në ueb-faqe, në pjesën e arsyetimit, thuhet se refuzimi i Bajramit u bë bazuar në legjislacionin në fuqi.
“Pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli me shumicë të votave duke u bazuar në legjislacioni në fuqi vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Kurse, KPK në takimin e 15 qershor 2026, pas propozimit të FFK-së, kishte caktuar në këtë Komisioni, prokuroren e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Fitore Sadikaj.
Pas këtij vendimi, Kryeprokurori Bajrami i kishte dërguar kërkesë KPK-së që të bëjë rishqyrtim të vendimit, me arsyetimin se refuzimi është bërë pa asnjë arsyetim konkret dhe se çdo vendim i institucionit publik veçanërisht KPK-së duhet të përmbajë arsyetimin mbi refuzim. Bajrami kishte theksuar në këtë kërkesë, se caktimi i Sadikajt dhe refuzimi i tij në këtë Komision, krijon përshtypjen për trajtim të pabarabartë.
“Barazia në trajtim, objektivitet dhe zbatimi i njëjtë i standardeve janë parime themelore të funksionimit të sistemit prokurorial”, thuhet në këtë kërkesë.
Andaj, Bajrami ka konfirmuar se për këtë çështje ka paraqitur padi në Gjykatë, ku ndër të tjera theksoi se ka trajtim jo të barabartë të prokurorëve brenda sisistemit.
“Arsyet pse nuk është aprovu nuk i di as unë, është një vendim i Këshillit, por për mendimin tem është shumë abstrakt nuk ka ndonjë arsye ligjore që është theksuar qartë e me thanë kjo është arsyeja që qëndron se pse nuk është aprovu. Për më tepër, në mbledhjen pasuese të Këshillit, aprovohet një kërkesë tjetër e prokurorit edhe pse Këshilli nuk ka mandat për prokuror- është në kompetencë të Kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse e jo në kompetencë të Këshillit me miratu kërkesat e prokurorëve a kërkesat e Kryeprokurorëve kalojnë përmes Këshillit. Unë kam paraqit padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Kam dërgu edhe kërkesë për rishqyrtim te Këshilli se ka trajtim jo të barabartë të prokurorëve brenda sistemit- një prokurori me ia aprovu, tjetrit me ia refuzu. Unë kam pranu kërkesën prej Federatës e kam procedu në Këshill, Këshilli janë kompetentë me vendos për Kryeprokurorët”, u shpreh Bajrami.
Lidhur me këtë çështje, në përgjigjen e dhënë nga kryesuesi Arian Gashi për Betimi për drejtësi, fillimisht theksohet se vendimi për refuzim është bërë bazuar në Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, sipas së cilës çështjet që i adresohen Këshillit shqyrtohen dhe vendosen në mënyrë kolegjiale, përmes votimit të anëtarëve.
“Vendimmarrja e Këshillit është bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese dhe ligjore si dhe në dispozitat e Rregullores nr. 02/2026 për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, sipas së cilës, çështjet që i adresohen Këshillit shqyrtohen dhe vendosen në mënyrë kolegjiale, përmes votimit të anëtarëve”, thuhet në përgjigje.
Dhe së dyti, sipas kryesuesit Gashi, për caktimin e Sadikajt ka pasur paraprakisht pëlqim të nënshkruar nga zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu.
“Propozimi i është adresuar Këshillit në mënyrë zyrtare dhe është shoqëruar me pëlqimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi. (nënshkruar nga zv.Kryeprokurori Arianit Salhiu)”, thuhet në përgjigje.