Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i rinumërimit të vendvotimeve të rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon dhe tashmë është në fazën përfundimtare.
Sipas përditësimit të fundit të publikuar nga KQZ, deri më tani janë rinumëruar 176 nga gjithsej 185 vendvotime, ndërsa kanë mbetur edhe 9 vendvotime për t’u përmbyllur.
Zyrtarët e KQZ-së kanë bërë të ditur se pjesa e mbetur e procesit pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Procesi i rinumërimit ka nisur në mëngjesin e së enjtes dhe përfshin gjithsej 185 vendvotime të rregullta. Këto përbëjnë 7.41 për qind të totalit prej 2,498 vendvotimeve ku është zhvilluar procesi i votimit më 7 qershor 2026.
