Insajderi
Hulumtime/Analiza

Dyshime se shifra është e ulët, Telekomi e mban të fshehtë numrin e abonentëve të pakos së Botërorit

Insajderi
24 June 2026 - 10:19
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dyshime se shifra është e ulët, Telekomi e mban të fshehtë numrin e abonentëve të pakos së Botërorit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Besnik Gashi

Telekomi i Kosovës nuk ka treguar shifrën e saktë të abonentëve të deritanishëm të pakos “Vala Botërori”, që mundëson transmetimin e të gjitha ndeshjeve të Kupës së Botës për edicionin 2026.

Gazeta Insajderi është interesuar të dijë numrin e saktë të abonentëve të kësaj pakoje, mirëpo nga ndërmarrja publike kanë thënë se për Telekomin, platforma për botërorin s’vlerësohet vetëm nga të hyrat direkte financiare por edhe aspekt strategjik i marketingut.

“Në aspektin financiar, vlerësimi i investimeve të tilla nuk bazohet vetëm në numrin e aktivizimeve të realizuara në një periudhë të caktuar kohore. Sikurse ndodh me të drejtat premium sportive në industrinë e telekomunikacionit dhe mediave, ky investim është vlerësuar jo vetëm nga aspekti i të hyrave direkte financiare, por edhe nga aspekti strategjik i marketingut, forcimit të markës Telekomi i Kosovës, rritjes së vlerës së platformës TV Vala, përmirësimit të përvojës së klientëve ekzistues, tërheqjes së klientëve të rinj dhe pozicionimit të kompanisë si ofrues i përmbajtjeve ekskluzive sportive“, thuhet në përgjigjen e tyre.

“Përveç kësaj, kjo ngjarje pritet të gjenerojë vlerë për Telekomin e Kosovës në disa drejtime, përfshirë të hyrat nga reklamat, shitjen e pakove të dedikuara për Botërorin, marrëveshjet për transmetim publik, si dhe ruajtjen dhe zgjerimin e bazës së klientëve që përdorin shërbimet e Telekomit të Kosovës“, vijon më tej përgjigja e Telekomit.

Sipas tyre, interesimi për pakon e Botërorit është në rritje dhe pritshmëritë e ndërmarrjes janë për rritje të mëtejshme të abonentëve të kësaj pakoje. Të njëjtit e kanë vlerësuar si “shumë simbolike” pagesën prej 20 eurove, që mundëson shikimin e të gjitha ndeshjeve nga një pajisje e vetme. Ndërkaq, pakoja “Vala Botërori_Biz”, në vlerë prej 34 euro, e destinuar për biznese, mundëson shikimin e ndeshjeve në më shumë se një pajisje.

“Interesimi për pakon e dedikuar të Kupës së Botës është në rritje. Pritjet tona janë që tani pas fillimit të garës së futbollit dhe me tu kuptuar plotësisht kjo mundësi, të ketë rritje të mëtejshme të numrit të përdoruesve që do të zgjedhin të ndjekin këtë ngjarje përmes platformës TV Vala“, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Burime të Gazetës Insajderi, të afërta me ndërmarrjen publike, kanë bërë të ditur se numri i abonentëve deri më tani është i ulët. Megjithatë, mediumi s’ka arritur të verifikojë një gjë të tillë.

Numri i transmetimeve në televizionin publik, kushtëzohet nga shitësi i të drejtave, që është kompania private me bazë në Tiranë, Dividendi Sh.P.K.

Telekomi përmes një kontrate të negociuar në janar në vlerë milionëshe, kishte arritur sigurimin e të drejtave të transmetimit të Botërorit të këtij edicioni.

Ndryshe nga shumë vende të rajonit dhe të Evropës, Kosova po rezulton të jetë ndër vendet ku një pjesë e konsiderueshme e ndeshjeve të Kupës së Botës nuk transmetohen përmes një transmetuesi publik dhe pa pagesë.

Në Greqi, për shembull, transmetuesi publik ERT ka siguruar të drejtat për transmetimin e të gjitha ndeshjeve të Botërorit, duke i ofruar ato falas në televizion dhe përmes platformës online ERTFLIX.

Në Shqipëri, të drejtat e transmetimit i ka TV Klan, i cili transmeton ndeshjet në frekuencë kombëtare.

Në Britaninë e Madhe, BBC dhe ITV ndajnë transmetimin e të gjitha ndeshjeve të Kupës së Botës, të cilat shikohen pa pagesë nga qytetarët. BBC, përmes platformës iPlayer, dhe ITV përmes ITVX, ofrojnë gjithashtu transmetim online falas të ndeshjeve.

Edhe në Mal të Zi, një pjesë e ndeshjeve transmetohen falas nga transmetuesi publik RTCG, megjithëse të drejtat e Botërorit ndahen me transmetues të tjerë sportivë.

Hiç më larg se para dy vitesh, Telekomi e kishte prezantuar si “ofertën më atraktive në treg” bashkëngjitjen e kanaleve të ‘Digitalb’, ku përfshiheshin kanalet sportive me ligat ndërkombëtare. Çmimet e prezantuara u vlerësuan nga ndërmarrja si “shumë konkurruese”.

Gazeta Insajderi kishte arritur të sigurojë detaje ekskluzive nga pakot e reja Telekomit me kanalet e ‘Digitalb’.

Për pasojë, ishin shtrenjtuar çmimet e pakove. Detajet në artikullin e mëposhtëm:

Kujtojmë se Qeveria Kurti ka ndarë nga buxheti i shtetit jo më pak se një herë para për këtë ndërmarrje, për të cilën akterët e pushtetit vlerësojnë se është fitimprurëse.

Vetëm gjatë vitit 2023, Qeveria Kurti kishte ndarë 20 milionë euro huamarrje për projekte investive në Telekomin e Kosovës. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark