Ylli i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani do të ndërrojë skuadër gjatë kësaj vere, por jo edhe ligën.
Asllani, sipas raportimeve të fundit, do t’i bashkohet Borussia Dortmundit.
Sipas gazetarit Ekrem Konur, Dortmundi e ka paguar klauzolën e lirimit të Asllanit te Hoffenheimi, e cila kapte shifrën e 30 milionë eurove.
Sipas tij, sulmuesi dardan ka nënshkruar kontratë deri më 2029 me klubin e tij të ri.
“Fisnik Asllani është zyrtarisht lojtar i ri i Borussia Dortmundit. Sulmuesi i Kosovës largohet nga Hoffenheim pasi u aktivizua klauzola e lirimit të tij, ndërsa ka nënshkruar kontratë me Dortmundin deri në vitin 2029. Meqenëse Borussia Dortmund është kualifikuar në Ligën e Kampionëve në secilin prej tre sezoneve të fundit, u aktivizua detyrimi për të paguar shumën prej 30 milionë eurosh, e cila ishte e përcaktuar në klauzolën e kontratës së tij”, shkruan 365Scores, duke e cituar Ekrem Konur.
Asllani shkëlqeu në sezonin e fundit me fanellën e Hoffenheimit, me të cilën shënoi 11 gola dhe dhuroi 10 asistime në të gjitha garat.
23-vjeçari është pjesë e Hoffenheimit që nga viti 2020, kur iu bashkua akademisë së klubit, nga akademia e Union Berlinit.
Ai u integrua në ekipin e parë në vitin 2022, derisa më 2023 u huazua tek Austria Vienna.
Në vitin 2024, ai u huazua më pas tek Elversbergu në Bundesliga 2, ku shkëlqeu me 18 gola.
Asllani është edhe pjesë e kombëtares së Kosovës, me të cilën ka 16 ndeshje e katër gola.