Insajderi
Insporti

Lewandowski zyrtarisht te Chicago Fire

Insajderi
30 June 2026 - 10:15
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Lewandowski zyrtarisht te Chicago Fire
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Chicago Fire ka zyrtarizuar transferimin e Robert Lewandowskit, duke i dhënë fund një pritjeje më shumë se njëvjeçare për sulmuesin polak.

Trajneri Gregg Berhalter konfirmoi se klubi kishte nisur bisedimet me Lewandowskin që në janar të vitit 2025 dhe, pas negociatave të gjata, arriti ta bindte të transferohej në MLS, pavarësisht interesimit nga klube të Arabisë Saudite dhe Evropës.

Berhalter: Është sulmuesi më i mirë i brezit të tij

Berhalter nuk i kurseu elozhet për ish-sulmuesin e Barcelonës dhe Bayernit.

“Bisedimet nisën në janar të vitit 2025 dhe më në fund arritëm ta transferojmë. Kemi qenë këmbëngulës dhe kemi mbajtur vazhdimisht kontakt me të dhe përfaqësuesit e tij. Besojmë se kjo është një mundësi e shkëlqyer si për Robertin, ashtu edhe për qytetin e Chicagos.

Është shumë e rrallë që një lojtar të fitojë kudo ku luan. Ky është rekordi i Lewandowskit. Përveç se skuadrat e tij fitojnë, ai gjithmonë performon në nivel të jashtëzakonshëm. Askush në pesë kampionatet kryesore evropiane nuk ka shënuar më shumë gola se ai në 15 vitet e fundit. Për mua, ai është sulmuesi më i mirë i brezit të tij”, deklaroi Berhalter për ESPN.

Debutimi mund të vijë ndaj Thomas Muller

Trajneri i Chicago Fire bëri të ditur se klubi do ta menaxhojë me kujdes gjendjen fizike të Lewandowskit para debutimit të tij në MLS.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, polaku mund ta zhvillojë ndeshjen e parë më 16 korrik, pikërisht ndaj Vancouver Whitecaps, ku aktivizohet ish-shoku i tij te Bayern Munich, Thomas Muller.

“Ai dëshiron të luajë dhe edhe ne duam ta aktivizojmë sa më shpejt. Do t’i shfrytëzojë javët e ardhshme për të fituar ritëm dhe shpresojmë që debutimin ta bëjë më 16 korrik”, shtoi Berhalter.

Rivaliteti me Messin vazhdon në MLS

Transferimi i Lewandowskit pritet të rikthejë edhe rivalitetin e tij me Lionel Messin, i cili është lideri i Inter Miamit.

Dy legjendat e futbollit tani do të garojnë në Konferencën Lindore të MLS, ndërsa një përballje mes tyre mund të zhvillohet më 22 korrik, në varësi të angazhimeve të Messit me Argjentinën dhe gjendjes fizike të Lewandowskit.

Polaku largohet nga Barcelona pas një periudhe të suksesshme, ku realizoi 120 gola në 193 ndeshje. Më herët, ai kishte shënuar 344 gola me Bayern Munich dhe ka fituar dy herë çmimin FIFA The Best për lojtarin më të mirë në botë.

Chicago Fire, që aktualisht renditet në vendin e tretë të Konferencës Lindore, shpreson se ardhja e Lewandowskit do ta ndihmojë klubin të fitojë titullin e parë në MLS që nga viti 1998. 


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark