Jurgen Klopp raportohet se është i gatshëm të marrë drejtimin e kombëtares së Gjermanisë nëse Julian Nagelsmann shkarkohet pas eliminimit të hershëm nga Kupa e Botës 2026.
Që prej largimit nga Liverpooli, emri i Kloppit është lidhur vazhdimisht me pankinën e Gjermanisë. Megjithatë, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) vendosi t’i besojë Nagelsmannit, duke ia zgjatur kontratën deri pas Euro 2028.
Megjithatë, humbja ndaj Paraguajit në 1/16 e finales ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Nagelsmannit. Sipas The Telegraph, Klopp do të ishte i gatshëm ta pranonte detyrën nëse DFB vendos ta shkarkojë trajnerin aktual.
Gjermania u eliminua pas penalltive ndaj Paraguajit, pavarësisht se Kai Havertz barazoi rezultatin gjatë ndeshjes. Pas përfundimit të takimit, Nagelsmann deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Nuk do të largohem. Nëse DFB dëshiron që të vazhdoj, do të vazhdoj. E di si funksionon futbolli dhe e di që shumë njerëz duan largimin tim, por do të qëndroj nëse federata më mbështet”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Klopp nuk ka dashur të ushqejë spekulimet, edhe pse nuk e ka mbyllur plotësisht derën.
“Nuk kam menduar ende për këtë. E kuptoj që emri im përmendet sa herë flitet për trajnerin e Gjermanisë, por nuk është momenti për të folur për këtë. Kam një punë që më pëlqen shumë dhe, sa di unë, nuk është një punë me kohë të pjesshme”, deklaroi Klopp.
Aktualisht, ish-trajneri i Liverpoolit mban postin e drejtorit global të futbollit në grupin Red Bull, por raportimet në Gjermani sugjerojnë se ai mbetet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Panzerëve” në rast të një ndryshimi në pankinë.