Një qytetare është sulmuar nga qentë endacakë dje në Ferizaj. Fillimisht, ajo ka marrë trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj. Mirëpo, sot, L.U. është ankuar se mjekët kanë refuzuar t’ia vazhdojnë mjekimin.
Sipas saj, i është thënë se mjeku përgjegjës është në pushim dhe se duhet të shkojë në Prishtinë për ta marrë terapinë.
L.U. pretendon se mjekët e kanë neglizhuar rastin e saj dhe se, duke qenë nënë vetushqyese e dy fëmijëve, nuk ka mundësi të udhëtojë deri në Prishtinë për trajtim.
“M’kanë thënë që nuk kemi çka me të bo, shko në Gjilan ose në Prishtinë. Unë mundem me u infektu tash edhe kërkush nuk merr përgjegjësi. Jam nënë vetushqyese e dy fëmijëve dhe nuk kam mundësi me shku deri në Prishtinë”, tha ajo për Insajderin.