Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për Ligën Universitare, fituesit morën zarfe para kamerave, por brenda tyre nuk kishte para. Në vend të mjeteve financiare, ata gjetën vetëm një letër ku ishte shënuar shuma e shpërblimit që u takonte.
Njëri nga sportistët i ka thënë Insajderit se në zarfet e pranuara gjatë ceremonisë nuk kishte mjete financiare, por vetëm një dokument me shumën e shpërblimit që u takonte. Sipas tyre, ata nuk ishin njoftuar paraprakisht se pagesat nuk do të bëheshin në ceremoni, por do të realizoheshin më vonë përmes llogarive bankare.
Lidhur me këtë çështje, Udhëheqësi i Divizionit të Sportit Universitar, Fikret Shatri, për Insajderin ka sqaruar se Federata e Sportit Universitar ka vendosur shumat e shpërblimeve në zarfe gjatë ceremonisë, ndërsa pagesat do të realizohen më pas përmes llogarive bankare të kapitenëve të ekipeve fituese.
“Federata e Sportit Universitar i ka shpërblyer ekipet fituese, paraprakisht me vendosjen e shumave të shpërblimeve në zarfe, pagesë e cila më pastaj do të realizohet përmes transferit bankar te kapitenët e ekipeve fituese, vendi i parë, i dytë dhe i tretë”, ka thënë Shatri.
Ai ka pranuar se mund të ketë pasur mungesë informimi ndaj ekipeve fituese për mënyrën e realizimit të pagesave.
“Është ndoshta një lëshim i vogël teknik, për shkak të mosinformimit paraprak në adresë të ekipeve fituese”, është shprehur Shatri, duke shtuar se pagesat do të realizohen sa më shpejt.
Nga ana tjetër, Agjencia e Sportit, përmes ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv, Fidan Shatri, për Insajderin ka deklaruar se organizimi i ceremonisë ka qenë përgjegjësi e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës.
“Për çështjet që lidhen me organizimin e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve, pyetjet duhet t’i drejtohen organizatorit të aktivitetit, përkatësisht Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, e cila ka qenë përgjegjëse për organizimin dhe realizimin e ceremonisë”, ka deklaruar Shatri.
Ai ka theksuar se pagesat në para të gatshme nuk mund të realizohen për organizatat sportive të financuara nga fondet publike.
“Në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, organizatat sportive që financohen nga Ministria e Sportit nuk mund të realizojnë pagesa në para të gatshme (cash). Të gjitha mjetet financiare duhet të menaxhohen dhe të shpërndahen përmes transferit bankar”, thuhet në përgjigjen e tij.
Megjithatë, mbetet çështja e komunikimit me fituesit, pasi sipas pretendimeve të tyre, ata nuk ishin njoftuar para ceremonisë se zarfet nuk përmbanin paratë e shpërblimeve dhe se pagesat do të kryheshin në një fazë tjetër.
Kështu, një ceremoni që synonte të shënonte suksesin e sportistëve universitarë përfundoi me paqartësi rreth mënyrës së dorëzimit të shpërblimeve dhe pritjes së pagesave.