Ruben Dias u paraqit para mediave pas eliminimit të Portugalisë nga Kupa e Botës, por nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje.
Mbrojtësi i Manchester Cityt u largua i nervozuar nga zona mikse pas humbjes së Portugalisë ndaj Spanjës, të hënën, në një moment të pazakontë pas ndeshjes.
Skuadra e Roberto Martinezit u eliminua në fazën e 1/8 së finales, pasi Mikel Merino shënoi golin vendimtar në minutën e 91-të në stadiumin “AT&T”, duke i dhënë Spanjës fitoren 1-0.
Goli i vonshëm i mesfushorit spanjoll i dha fund ëndrrës së Cristiano Ronaldos për ta fituar Kupën e Botës, në atë që duket se ishte turneu i tij i fundit në këtë garë. Menjëherë pas eliminimit, trajneri Roberto Martinez njoftoi edhe largimin nga posti i selektorit të Portugalisë.
“Gjenerata e artë” e Portugalisë u kritikua ashpër për mungesë kreativiteti në skenën e madhe, ndërsa para mediave u dërgua pikërisht Ruben Dias.
Sipas procedurës së zakonshme pas ndeshjeve, Dias u paraqit në zonën mikse, aty ku gazetarët u drejtojnë pyetje lojtarëve. Edhe pas humbjeve, futbollistët zakonisht pritet të japin një reflektim të sinqertë për ndeshjen.
Por paraqitja e Dias para mediave zgjati shumë pak. Ai nuk dha asnjë përgjigje.
Një video e publikuar nga gazetari Zach Lowy, i cili ishte i pranishëm, shfaq mbrojtësin portugez me veshjet e kombëtares dhe përpara mikrofonit. Sipas Lowy, pati një vonesë të konsiderueshme, pasi zyrtari për media po kërkonte një gazetar portugez për ta bërë pyetjen e parë.
Kur më në fund u gjet një reporter që nisi t’i drejtohej Diasit, qendërmbrojtësi u duk qartë i irrituar nga fakti se Mikel Merino, heroi i Spanjës në atë ndeshje, po jepte intervistë në të njëjtën kohë.
Dias ngriti dorën në drejtim të Merinos, i hodhi një shikim të pakënaqur zyrtarit për media dhe më pas u largua menjëherë, pa u kthyer më.
Cristiano Ronaldo dhe Ruben Semedo më pas folën me gazetarët.
Dias në debat të tensionuar me Ricardo Quaresman
Edhe pse nuk foli në zonën mikse, Dias u ul më vonë për një analizë me “LiveMode TV”, ku pati një diskutim të tensionuar dhe të drejtpërdrejtë me ish-yllin e Portugalisë, Ricardo Quaresma.
Quaresma, i cili ishte pjesë e Portugalisë fituese të Euro 2016, nuk u përmbajt në kritikat e tij ndaj paraqitjes së skuadrës në këtë Botëror.
“Të gjithë thoshin se kjo ishte skuadra më e mirë në historinë e Portugalisë, por në çfarë kuptimi? Çfarë kanë fituar?”, deklaroi ish-futbollisti i Chelseat dhe Interit.
“Po kthehemi në shtëpi me kokën ulur. Në mesfushë kemi lojtarë të mëdhenj, shumë talent, por në këtë Kupë Bote kanë qenë shumë, shumë të dobët. Sulmi ishte i njëjtë, ndërsa mbrojtja ishte e humbur. Më mirë po ndalem këtu, sepse përndryshe do të them gjëra për të cilat mund të pendohem më vonë”, shtoi Quaresma.
Duke pasur parasysh cilësinë e skuadrës dhe numrin e madh të yjeve në përbërje, taktikat e Portugalisë u vunë seriozisht në pikëpyetje.
Por Dias doli në mbrojtje të mënyrës se si Portugalia ishte organizuar në fushë.
“Ti ke qenë lojtar dhe e di çfarë duhet bërë me personalitetin dhe mentalitetin e secilit futbollist”, i tha Dias Quaresmas.
“Kur flasim për ‘të luajtur mirë’, kjo shkon përtej spektaklit individual. Ka të bëjë me mbajtjen e topit, me moslodhjen duke vrapuar pas tij, me efikasitetin dhe durimin. Duhet të gjesh ekuilibrin”, shtoi ai.
Quaresma nuk u pajtua me këtë qëndrim dhe tha se Portugalia duhej të luante më lart në fushë për të shfrytëzuar më mirë lojtarët që janë të fortë në duelet një kundër një, si Rafael Leao, Pedro Neto dhe Francisco Conceicao.
Dias më pas pretendoi se Portugalia “luajti ndeshjen më të mirë ndaj Spanjës që kur jam unë këtu”, por Quaresma sërish nuk u bind.
Sipas tij, gjithçka kishte shkuar keq nga fillimi deri në fund.
“Nuk ka pasur asnjë ndeshje ku mund të thuash se kemi luajtur mirë, kemi sulmuar shumë dhe thjesht nuk kemi pasur fat”, tha Quaresma.
“Edhe sot, ia dorëzuan ndeshjen Spanjës nga fillimi deri në fund. Spanja e kontrolloi gjithë takimin, bëri çfarë deshi. Kur deshi ta shpejtonte lojën, e shpejtoi; kur deshi ta ngadalësonte, e ngadalësoi. Ne ishim thjesht aty, pa dëshirë, pa gëzim, shumë të ngadaltë”, shtoi ai.
Pavarësisht debatit të fortë, Dias dhe Quaresma ia dhanë dorën njëri-tjetrit para se mbrojtësi të largohej.
Ndërkohë, në Portugali raportohet gjerësisht se federata pritet ta emërojë trajnerin me përvojë Jorge Jesus si pasues të Roberto Martinezit.
A genuinely bizarre mixed zone. Portugal’s press officer demands a Portuguese journalist to ask the 1st question.
— Zach Lowy (@ZachLowy) July 6, 2026
He finally finds one, but then Rúben Dias gets upset that Mikel Merino is speaking at the same time & leaves.
3 Spain players have spoken, 0 Portugal players. pic.twitter.com/DJwlzEdPbv