Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke lënë në fuqi vendimet për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Dy nga ankesat ishin paraqitur nga Lista Serbe dhe kandidatja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, të cilat kundërshtonin mënyrën se si ishin fituar mandatet e garantuara për komunitetet serb dhe boshnjak. Sipas tyre, disa subjekte kishin marrë mbështetje kryesisht në zona me shumicë shqiptare, çka, sipas tyre, cenonte qëllimin e vendeve të garantuara.
Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se ligji nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit. Në aktgjykime thuhet se vota është individuale, e lirë dhe e fshehtë, ndërsa Lista e Votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike. Për këtë arsye, gjykata bëri të ditur se nuk ka bazë ligjore që votat të vlerësohen sipas strukturës etnike të një komune apo vendvotimi.
Po ashtu, Gjykata konstatoi se ankuesit nuk kishin paraqitur prova konkrete për manipulim të votave apo parregullsi të tjera zgjedhore, por ishin mbështetur kryesisht në analiza statistikore dhe demografike, të cilat, sipas saj, nuk mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin zgjedhor.
Ndërkohë, Gjykata refuzoi edhe ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërim të plotë të votave preferenciale të kandidatëve të partisë.
Sipas Gjykatës Supreme, raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk dëshmon se ka pasur parregullsi sistematike në procesin e numërimit. Gjykata vlerësoi se gabimet e evidentuara ishin sporadike dhe nuk cenonin besueshmërinë e rezultatit përfundimtar.
Me këto vendime, Gjykata Supreme ka konfirmuar se vendimet e PZAP-së janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të ndërhyrë në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. /Insajderi.org/