Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka komentuar qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Greqi.
I ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hoxhaj ka thënë se në kohën kur Kurti qëndroi në Greqi, në Ankara u mbajt samiti i NATO-s, ku sipas tij Kosova kishte mundësi të ftohej edhe si vëzhguese.
Sipas Hoxhajt, kjo situatë pasqyron gjendjen politike në të cilën ndodhet vendi.
“Paralelisht me qëndrimin e tij në Greqi, që tregon shumë se si po e menaxhon shtetin, ka ndodhur samiti i madh në Ankara, samiti i NATO-s. Tema e takimit të Kurtit në Greqi ishte ‘zemërimi i Akilit’ dhe ‘paralajmërimi i Kasandrës’, tema e simpoziumit ku kishte marrë pjesë ai dhe kjo tregon realisht se në çfarë situate politike është vendi”, tha Hoxhaj.
Ai shtoi se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore ende nuk është bërë i qartë qëndrimi i subjektit që ka fituar zgjedhjet për procesin e ardhshëm politik.
“Do të thotë rezultati certifikohet dhe ne nuk e dimë se cili është qëndrimi i partisë e cila i ka fituar zgjedhjet, se si e sheh procesin politik se deri më tash nuk ka ndonjë deklarim. Në një kohë kur bota është e përmbysur dhe e pasigurt dhe kryeministri ka kohë që të merret me tema të vogla intelektuale dhe Kosova mbetet e paftuar në samitin e NATO-s që ka pasur mundësi të ftohet edhe si vëzhgues”, u shpreh ai.
Hoxhaj ka thënë se pret që edhe pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të përsëritet skenari i njëjtë për formimin e institucioneve, sikurse sipas tij ka ndodhur gjatë 15 muajve të fundit.
“Mendoj që mund ta shohim skenarin e njëjtë që kemi parë në këto 15 muajt e fundit dhe ne si PDK presim fillimisht qëndrimin e subjektit të parë”, tha Hoxhaj.