Insajderi
Lajme

Presidenti rikthen Kurtin në tryezë me opozitën, sot takohet me Hamzën dhe Abdixhikun

Insajderi
10 July 2026 - 08:24
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Presidenti rikthen Kurtin në tryezë me opozitën, sot takohet me Hamzën dhe Abdixhikun
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Dy liderët e partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, pas mbledhjeve të Kryesive të partive të tyre të enjten, kanë vendosur t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se takimi me Kurtin do të zhvillohet mëngjesin e sotëm, në orën 09:00.

“Unë ia ktheva shkresën që PDK është e gatshme të takohet nesër në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit”, ka deklaruar Hamza, duke treguar se ishin ofruar edhe opsione të tjera për orarin e takimit.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur të enjten, konfirmoi se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit, duke theksuar se ky është komunikimi i parë ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

Ai tha se ekipet e të dyja partive do të dakordohen për orën e takimit.

“Besoj që kohën e takimeve do ta aranzhojnë ekipet tona. Por, ky le të jetë një takim i parë. Do të provoj të takohem edhe me liderët e partive politike”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se synon një qasje gjithëpërfshirëse për krijimin e të gjitha institucioneve.

Abdixhiku bëri të ditur se takimi është propozuar në formatin 1+1, por se LDK-ja dëshiron që ai të zhvillohet në formatin 2+2.

I pyetur nëse LDK-ja do të kërkojë postin e presidentit, duke pasur parasysh se partia kishte garuar me ish-presidenten Vjosa Osmani për këtë pozitë, Abdixhiku tha se në këtë fazë nuk do të flasin për emra.

“Do të dëgjojmë edhe palën tjetër”, është shprehur ai.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka deklaruar se nuk sheh nevojë për takim, pasi qëndrimi i AAK-së mbetet i pandryshuar: plotësimi i gjashtë kushteve nga Albin Kurti në këmbim të sigurimit të kuorumit për zgjedhjen e presidentit.

Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pikërisht pas dështimit të partive politike për të arritur një marrëveshje për presidentin. Kjo çështje mbetet vendimtare për zgjidhjen e ngërçit politik, pasi vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje nëse nuk arrihet një marrëveshje.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark