Ish-presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ka reaguar pas deklaratave të ish-futbollistit shqiptar dhe menaxherit Altin Lala në adresë të yllit të Kosovës, Edon Zhegrovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ejupi është shprehur i befasuar nga kritikat ndaj futbollistit, duke theksuar se kishte pritur që Lala ta vlerësonte talentin dhe arritjet e tij.
“Ta them të drejtën, mbeta i habitur nga ato që i dëgjova, pasi, përkundrazi, prisja që Lala ta lartësonte figurën e Zhegrovës”, ka shkruar Ejupi.
Ai kujtoi se e njeh Zhegrovën që nga fëmijëria, kur të dy ishin pjesë e FC Prishtinës, duke theksuar se talenti i tij ishte evident që në moshë të re dhe ishte vlerësuar edhe nga trajnerët e Milanit gjatë një kampi të organizuar në Kosovë.
Sipas Ejupit, FC Prishtina kishte luajtur rol të rëndësishëm në daljen e Zhegrovës në futbollin evropian, në një kohë kur futbolli kosovar ishte ende i izoluar.
“Zhegrova është padyshim futbollisti më i talentuar që ka dalë në Evropë nga futbolli i përlloçur i Kosovës”, ka theksuar ai.
Ejupi ka mbrojtur edhe stilin e jetesës së reprezentuesit kosovar, duke e krahasuar me emra të mëdhenj të futbollit botëror si Cristiano Ronaldo, David Beckham dhe Lamine Yamal, të cilët sipas tij gjithashtu i kanë kushtuar rëndësi imazhit dhe veturave luksoze, pa ndikuar kjo në suksesin e tyre sportiv.
Ai e përshkroi Zhegrovën si një djalë punëtor, të ndershëm dhe modest, duke shtuar se nëse ndonjëherë duket “i llastuar”, kjo është në kuptimin më pozitiv të fjalës.
Në fund, Ejupi e cilësoi 26-vjeçarin si një pasuri kombëtare, duke bërë thirrje që ai të mos nënvlerësohet dhe të mbështetet në vazhdimësinë e karrierës së tij.
“Është mëkat që të ulet dhe të nënvlerësohet një diamant si Edoni, i cili nuk e përfaqëson veç Kosovën, por krejt shqiptarinë. Përpara Edon!”, përfundoi ish-presidenti i FC Prishtinës./