Manchester City është gati të transferojë një mesfushor të ri si zëvendësues afatgjatë të Rodrit dhe, sipas raportimeve, ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar shërbimet e talentit të Lille, Ayyoub Bouaddi.
Epoka e re te City ka nisur me Enzo Marescan në stol, pasi Pep Guardiola i dha fund qëndrimit të tij dhjetëvjeçar në krye të klubit në fund të verës së kaluar.
Përforcimi i parë i Marescas ishte Elliot Anderson, i cili u transferua nga Nottingham Forest për një shumë rekord në futbollin anglez prej 116 milionë funtesh në fillim të korrikut.
Anderson kreu kontrollet mjekësore gjatë grumbullimit me Anglinë në Kupën e Botës, ndërsa më pas City transferoi edhe portierin Pierce Charles nga Sheffield Wednesday dhe talentin 16-vjeçar Jeremy Monga nga Leicester City.
Rikthimi i Charles, i cili është produkt i akademisë së Manchester Cityt, mund të hapë rrugën për largimin e James Trafford, ndërsa Monga pritet të presë rastin e tij për t’u bërë pjesë e ekipit të parë.
Sipas “The Athletic”, objektivi i radhës i klubit është mesfushori i Lille, Ayyoub Bouaddi.
18-vjeçari, i cili është rritur në akademinë e klubit francez, ka qenë një nga zbulimet më të mëdha të Kupës së Botës me Marokun, pasi ndryshoi përfaqësuesen nga Franca vetëm pak javë para turneut.
Ai ndihmoi Marokun të arrinte në çerekfinale, ku u eliminua me rezultat 2-0 nga Franca.
Raporti thekson se për Bouaddin interesohen edhe Arsenali dhe Manchester United, por Manchester City mund t’i ofrojë mundësinë për të luajtur menjëherë me ekipin e parë.
Ndërkohë, fituesi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, nuk është aktualisht i interesuar për mesfushorin, gjë që rrit shanset e klubeve të tjera për ta transferuar atë.
Pengesa kryesore mbetet çmimi, pasi Lille kërkon rreth 100 milionë euro (afërsisht 85 milionë funte) për talentin e saj.
Transferimi i Bouaddit do të lehtësonte disi shqetësimet për të ardhmen e Rodrit, kontrata e të cilit skadon verën e ardhshme dhe që vazhdon të lidhet ngushtë me një kalim te Real Madridi.
Sipas “TEAMtalk”, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e sheh Rodrin si një futbollist me cilësitë e një “trajneri në fushë”, të ngjashme me ato që kishin Casemiro, Luka Modric dhe Toni Kroos.
Ai konsiderohet si një lojtar i aftë të diktojë ritmin e ndeshjeve dhe të rrisë standardet e skuadrës, një cilësi që pritet të ketë edhe më shumë rëndësi pas emërimit të Jose Mourinhos në stolin e madrilenëve.
Më herët ishte raportuar se Mourinho kishte kërkuar një sërë kushtesh për t’u rikthyer në “Bernabeu”, përfshirë kontroll më të madh mbi dhomën e zhveshjes.
Sipas “TEAMtalk”, drejtori sportiv i Manchester Cityt, Hugo Viana, dhe trajneri Enzo Maresca planifikojnë të zhvillojnë bisedime me Rodrin gjatë muajit gusht, pasi ai të rikthehet nga Kupa e Botës me Spanjën, për të sqaruar të ardhmen e tij afatshkurtër dhe afatgjatë në klub.