Insajderi
Lajme

Digjet deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës, publikohen pamjet

Insajderi
14 July 2026 - 23:36
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Digjet deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës, publikohen pamjet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deponia e mbeturinave në fshatin Sferkë të Pejës është përfshirë në flakë.

Ndërmarrja publike “Ambienti” ka bërë të ditur se zjarri dyshohet të ketë ardhur si pasojë e veprimeve të, siç thanë ata, personave të pandërgjegjshëm.

“Persona të papërgjegjshëm i kanë vënë sërish flakën deponisë sonë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e punonjësve tanë, operatorit ekonomik dhe duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të mjedisit. Si pasojë e zjarrit, është vështirësuar edhe procesi i zbrazjes së automjeteve komerciale, si dhe janë shkaktuar pengesa të tjera në funksionimin normal të deponisë”, u tha në njoftimin e tyre.

Naim Bytyqi, asamblist i AAK’së në Pejë, ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.

“Deponia e mbeturinave në fshatin Sferkë është aktualisht duke u djegur, së bashku me asamblisten Vlera Kuçi ishim deri afër vendit ku po digjej. Që nga viti 2023, kemi ngritur këtë qështje në Kuvendin Komunal lidhur me rreziqet që paraqet kjo deponi”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i LDK’së, Arben Gashi, i cili ka thënë se kjo deponi është nën përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.

“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të ndërmarrin masa urgjente për shuarjen e zjarrit, sanimin e deponisë dhe një hetim të plotë mbi ndikimin e saj në shëndetin e qytetarëve dhe në mjedis. Çdo vonesë është e papranueshme. Mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut”, ka thënë ai. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark