Insajderi
Analiza

“U aprovuan por s’u paguan, Fondi la në ‘sirtar’ afër gjysmë milioni euro për pacientët” – gjetjet e Auditorit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore

Insajderi
15 July 2026 - 10:59
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“U aprovuan por s’u paguan, Fondi la në ‘sirtar’ afër gjysmë milioni euro për pacientët” – gjetjet e Auditorit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka adresuar gjetje serioze që dëshmojnë për një menaxhim të dobët, vonesa të stërzgjatura dhe shkelje procedurale brenda Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH). Raporti i fundit i auditimit tregon se si Bordi i këtij institucioni ka lënë me vite të tëra pa shqyrtuar aplikacionet e qytetarëve për trajtim mjekësor, ndërsa dhjetëra lëndë të aprovuara kanë mbetur pa u paguar, shkruan Insajderi.

Përveç kësaj, auditori ka gjetur raste ku janë lëshuar fletëzotime pa u plotësuar kriteret ligjore dhe pa dokumentacionin e duhur, duke dëmtuar drejtpërdrejt buxhetin e organizatës dhe duke rritur rrezikun për padi gjyqësore.

Sipas gjetjeve të ZKA-së, Udhëzimi Administrativ obligon Divizionin për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP) që të kontrollojë dokumentacionin dhe t’ia dërgojë atë Bordit për aprovim brenda afateve të përcaktuara. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i aplikimeve kanë mbetur në pritje për periudha jashtëzakonisht të gjata kohore.

Nga analiza e evidencave të prezantuara, në pritje të shqyrtimit kanë mbetur: Dy aplikime nga viti 2021; një aplikim nga viti 2023; nëntë aplikime nga viti 2024; tri aplikime nga viti 2025, ku vlera totale e tyre arrin në 392 mijë 381 euro.

“Kjo situatë tregon për vonesa në procesin e shqyrtimit dhe vendimmarrjes nga Bordi, duke ndikuar në efikasitetin dhe trajtimin me kohë të aplikimeve të parashtruara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Për më tepër, gjatë vitit 2025 nuk është aplikuar praktika e publikimit në ueb-faqe të radhës së shqyrtimit të aplikimeve, duke pamundësuar transparencën e procesit.

Lëndët e aprovuara që zvarriten – afër gjysmë milioni euro në pritje të pagesës

Një tjetër problematikë shqetësuese është grumbullimi i lëndëve të cilat janë aprovuar nga Bordi, por që kanë mbetur pa u ekzekutuar financiarisht.

Vlera totale e këtyre lëndëve të bllokuara arrin në 483,651 euro.

Sipas raportit, këto raste kanë mbetur të hapura për periudha të gjata pas aprovimit:

“Në vitin 2019 kanë mbetur të paekzekutuara shtatë lëndë me vendime të bordit; në vitin 2022 është evidentuar një lëndë me vendim në pritje të pagesës; në vitin 2023 janë evidentuar tri lëndë me vendime në pritje të pagesës; në vitin 2024 janë evidentuar pesë lëndë me vendime në pritje të pagesës; dhe në vitin 2025 janë evidentuar tetë lëndë në pritje të pagesës me vendime të bordit”, sqaron raporti i ZKA-së.

Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mungesës së një mekanizmi efektiv për monitorimin e ekzekutimit të vendimeve, vonesave administrative si dhe mungesës së koordinimit ndërmjet sektorit financiar dhe njësive përgjegjëse.

Këto vonesa mund të shtyjnë institucionet shëndetësore jopublike që të hezitojnë në ofrimin e shërbimeve kur mbështeten vetëm në fletëzotime, duke rrezikuar që FSSH-ja të përballet me padi gjyqësore dhe shpenzime shtesë përmbarimore.

ZKA ka gjetur shkelje të rënda edhe në lëshimin e fletëzotimeve. Janë identifikuar plot 24 raste në vlerë prej 738 mijë euro ku fletëzotimet janë lëshuar pa u përmbushur kriteri i numrit të pro-faturave të kërkuara sipas rregullave në fuqi:

Në 10 raste (vlera 335,516 euro), fletëzotimet janë lëshuar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të vitit 2023, i cili kërkonte paraqitjen e tri pro-faturave.

Në 10 raste të tjera (vlera 258,060 euro), fletëzotimet janë lëshuar pa u plotësuar kriteri i bashkëngjitjes së dy pro-faturave.

Në 4 raste (vlera 145,210 euro), lëndët me dokumentacion të pakompletuar kanë hyrë në procedurë të shqyrtimit në Bord, ndonëse ato ishin kthyer më parë për plotësim. Këto lëndë kanë mbetur të paplotësuara dhe të pashqyrtuara, edhe pse i përkisnin periudhës 2020-2021.

Sipas auditorit, kjo praktikë ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve të brendshme dhe dëmton buxhetin e organizatës duke rritur rrezikun e aprovimit të trajtimeve me çmime më të larta, për shkak të mungesës së konkurrencës.

Përveç dështimeve në procesin e trajtimit të pacientëve, FSSH ka treguar dobësi të theksuara edhe në menaxhimin e brendshëm financiar:

ZKA ka gjetur se FSSH kishte mbivlerësuar detyrimet e saj me konteste gjyqësore për 26,000 euro.

Kjo kishte ndodhur pasi Gjykata Themelore kishte nxjerrë vendim refuzues ndaj padisë së palës, por institucioni nuk e kishte përditësuar regjistrin, duke prezantuar të dhëna të pasakta në Pasqyrat Financiare Vjetore.

Regjistri i pasurive kapitale ishte nënvlerësuar për shumën prej 44,325 euro.

Ky gabim ka ardhur pasi softuerë të blerë në vitin 2021 (në vlerë të përbashkët prej 85,790 euro) ishin klasifikuar gabimisht si pajisje të TI-së me afat zhvlerësimi prej 3 vitesh, në vend se të klasifikoheshin si softuerë (pasuri të paprekshme).

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar nga Bordi Ekzekutiv dhe Drejtori i Fondit që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të siguruar që: Lëndët e kompletuara të trajtohen brenda afateve ligjore dhe të pastrohen regjistrat e lëndëve në pritje, të respektohen me përpiktëri rregullat për lëshimin e fletëzotimeve, duke mos pranuar asnjë aplikacion pa numrin e kërkuar të pro-faturave dhe dokumentet përcjellëse dhe të rishikohen dhe të përditësohen periodikisht regjistrat e detyrimeve kontigjente dhe të klasifikohet saktë pasuria e institucionit.

Ky raport ka rezultuar me katër rekomandime, prej tyre 2 janë rekomandime të reja, dhe 2 të përsëritura.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark