Komentatorët e ITV-së mbetën të habitur pasi gjyqtari Ivan Barton ndryshoi vendimin e tij dhe anuloi një goditje dënimi gjatë gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Francës dhe Spanjës.
Një situatë e pazakontë gjatë gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Francës dhe Spanjës shkaktoi konfuzion te shikuesit dhe komentatorët televizivë.
Spanja e mbylli pjesën e parë në epërsi falë golit të Mikel Oyarzabal nga penalltia. Njëmbëdhjetëmetërshi u akordua pasi Lucas Digne ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Lamine Yamal brenda zonës.
Vendimi për penalltinë nuk shkaktoi shumë kundërshtime, por një episod i mëvonshëm në stadiumin “AT&T” habiti pothuajse të gjithë.
Gjyqtari ndryshon vendimin
Fabian Ruiz reagoi me shumë zemërim pasi gjyqtari akordoi një goditje dënimi në favor të Francës, për një ndërhyrje të pretenduar ndaj Ousmane Dembele jashtë zonës.
Pamjet e përsëritura treguan se mesfushori spanjoll nuk kishte pasur kontakt me ish-shokun e tij te Paris Saint-Germain.
Dembele u zgjat për të arritur topin, humbi ekuilibrin dhe u përplas me Ruizin, por gjyqtari fillimisht e interpretoi situatën si faull.
Ish-mbrojtësi i Arsenalit dhe Anglisë, Lee Dixon, i cili po komentonte ndeshjen për ITV-në, deklaroi menjëherë se ndërhyrja nuk duhej të ndëshkohej.
“Kjo nuk është kurrë goditje dënimi”, tha Dixon.
Megjithatë, situata mori një kthesë të papritur. Gjyqtari Ivan Barton e ndryshoi plotësisht vendimin dhe anuloi goditjen e dënimit.
Komentatori kryesor Sam Matterface mendoi fillimisht se gjyqtari mund të ishte informuar nga sistemi VAR.
“Mendoj se VAR-i e ka njoftuar gjyqtarin, megjithëse nuk jam i sigurt se kjo ishte pjesë e udhëzimeve që morëm para ndeshjes”, deklaroi ai.
Dixon reagoi i habitur: “Kjo nuk ekziston si procedurë!”
Matterface shtoi se Ruiz nuk ishte ndëshkuar me karton dhe se një vendim i tillë zakonisht mund të korrigjohet vetëm në raste të identifikimit të gabuar të futbollistit.
“Megjithatë, në fund u mor vendimi i drejtë”, përfundoi komentatori.
Nuk pati ndërhyrje nga VAR-i
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, dukej i habitur nga mënyra se si u anulua goditja e dënimit.
Për disa minuta nuk pati një shpjegim të qartë se kush e kishte këshilluar gjyqtarin ta ndryshonte vendimin.

Disa përdorues në rrjetet sociale menduan se gjyqtari i katërt ose njëri prej anësorëve kishte komunikuar me Bartonin, duke e informuar se Dembele ishte rrëzuar vetë mbi Ruizin.
Situata u sqarua më vonë nga eksperti i BBC-së për çështjet e arbitrimit, Dale Johnson.
Sipas tij, sistemi VAR nuk ndërhyri në këtë rast. Vendimi u ndryshua pas këshillës së njërit prej gjyqtarëve anësorë.
“Ekipi i komentatorëve nuk kishte si ta dinte menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Ata po përpiqeshin të kuptonin një situatë konfuze dhe nuk kanë qasje në komunikimin e VAR-it, siç ndodh në Premier League”, shpjegoi Johnson.
“Jam informuar se gjyqtari e anuloi goditjen e dënimit pas këshillës së asistentit të tij. Megjithatë, ishte një situatë shumë e pazakontë.”
Johnson theksoi se gjyqtarët zakonisht këshillohen me asistentët përpara se ta marrin vendimin, jo pasi e kanë dhënë atë.
“Është jashtëzakonisht e rrallë që një gjyqtar ta anulojë një goditje dënimi pasi e ka akorduar. Zakonisht, edhe kur kanë gabuar, gjyqtarët e mbajnë vendimin e tyre.”
Sipas ekspertit, Barton tregoi me dorë drejt gjyqtarit anësor në krahun e kundërt, Antonio Pupiro, për të sinjalizuar se e kishte ndryshuar vendimin pas këshillës së tij.
Loja më pas rifilloi me top të diskutueshëm.
Rritet roli i VAR-it në Botëror
Sistemi VAR ka pasur një rol më të gjerë gjatë kësaj Kupe Bote.
Teknologjia është përdorur edhe për të rishikuar situata që lidhen me goditjet nga këndi, rivëniet fundore, identifikimin e gabuar të futbollistëve dhe kartonët e dytë të verdhë.
Gjyqtari nga El Salvadori, Ivan Barton, ishte bërë protagonist edhe më herët gjatë turneut.
Ai përjashtoi Miguel Almiron në ndeshjen e Paraguait kundër Turqisë, pasi futbollisti mbuloi gojën e kundërshtarit me dorë gjatë një konfrontimi.
Almiron u bë lojtari i parë që u ndëshkua sipas rregullit të ri të FIFA-s.
Më pas, edhe mbrojtësi i Arsenalit, Piero Hincapie, u përjashtua për të njëjtën shkelje gjatë humbjes së Ekuadorit ndaj Meksikës në raundin e 1/16-ave.
Edhe pse procedura gjatë ndeshjes Francë–Spanjë shkaktoi shumë paqartësi, pamjet treguan se gjyqtari, pas konsultimit me asistentin, përfundimisht mori vendimin e duhur.