Zhvillime të reja dhe dramatike po ndodhin brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Plot 160 delegatë të këtij subjekti politik kanë dorëzuar tashmë zyrtarisht nënshkrimet e tyre për të kërkuar shkarkimin e kryetarit aktual të partisë, Lumir Abdixhikut.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, ka konfirmuar se kanë dorëzuar nënshkrimet e grumbulluara për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
“Po, mund të konfirmoj se nënshkrimet janë dorëzuar te Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në pajtim me dispozitat e Statutit të LDK-së”, ka thënë Zemaj.
Kjo lëvizje vjen pas Kuvendit të mbajtur më 31 janar, ku nga 300 delegatë gjithsej, 164 kishin votuar për Abdixhikun, ndërsa 136 ishin kundër nga 300 delegatë gjithsej.
Megjithatë, situata brenda LDK-së duket se ka ndryshuar rrënjësisht.
Sipas informacioneve të fundit, numri i delegatëve të pakënaqur është rritur ndjeshëm, duke arritur në 160 delegatë të cilët tashmë kërkojnë hapur dhe me shkrim largimin e kreut aktual të partisë.
Kjo iniciativë vjen pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, ku LDK-ja u rendit sërish si forca e tretë politike në vend./Insajderi