Insajderi
Lajme

“Euro Miti” e Sait Graincës në gjykatë për çmimet e naftës, kompania ishte hetuar edhe më herët

Insajderi
18 July 2026 - 15:55
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Euro Miti” e Sait Graincës në gjykatë për çmimet e naftës, kompania ishte hetuar edhe më herët
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kompania “Euro Miti” Sh.P.K., me pronar biznesmenin Sait Grainca, është dërguar në gjykatë për shkak të dyshimeve se gjatë krizës globale kishte shitur derivate të naftës me çmime më të larta se sa kufiri i përcaktuar nga shteti.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Veriu.info nga Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Tregtisë, kjo kompani ishte inspektuar më 24 mars 2026 nga zyrtarët e Inspektoratit të Tregut, në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Pas kontrollit ishte konstatuar se “Euro Miti” Sh.P.K., me pronar Sait Grainca, kishte shkelur Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës, duke shitur derivate me çmime më të larta se ato të përcaktuara nga Ministria e Tregtisë.

Për këtë shkelje dhe për dëmin financiar ndaj konsumatorëve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut i Ministrisë së Tregtisë më 20 prill 2026 ka nisur procedurë kundërvajtëse ndaj kompanisë “Euro Miti” Sh.P.K. në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për Kundërvajtje në Lipjan.

“Në bazë të raportit të Inspektorëve të ATK-së të datës 11.07.2026, me ç’rast është konstatuar që Operatori Ekonomik “Euro Miti” Sh.P.K. me drejtor Sait Grainca, lidhur me verifikimin e çmimeve, e ka tejkaluar çmimin maksimal të lejuar për shitje me pakicë të produkteve të naftës. Veprim ky në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit nr. 08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme, i sanksionuar me nenin 19 paragrafi 13 të po të njëjtit ligj dhe në nenin 26 të Ligjit nr. 06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ndëshkohet me nenin 137 të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e kërkesës së IQMT-së për fillimin e procedurës kundërvajtëse.

Gjoba për shkelje të çmimeve deri në 6 mijë euro

Sipas kërkesës së Inspektoratit, për shkelje të vendimit për marzhën maksimale të fitimit, sanksioni është paraparë në nenin 19, paragrafi 13 të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme.

Sipas kësaj dispozite, një person juridik që nuk respekton kufizimin e çmimit të produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme mund të dënohet me gjobë nga 2 mijë deri në 6 mijë euro.

“Kushdo që, në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji, nuk respekton kufizimin e çmimit të produktit të naftës ose karburantit të ripërtërishëm dënohet me gjobë prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik”, thuhet në nenin 19, paragrafi 13 të ligjit.

Meqë bëhet fjalë për një kompani me disa njësi biznesore në Kosovë, shtrohet pyetja se sa efektive janë këto masa ndëshkuese kur gjoba maksimale për shkelje të tilla është vetëm 6 mijë euro. Përgjigjen për këtë e kanë ligjvënësit dhe institucionet mbikëqyrëse.

Kush është “Euro Miti” Sh.P.K.?

“Euro Miti” Sh.P.K. është kompani e themeluar në vitin 2004 në Ferizaj nga Xhejlane Grainca, ndërsa aktualisht 100 për qind të aksioneve të kompanisë i zotëron Sait Grainca.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), aktivitet primar i kompanisë figuron tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuara.

Kompania ka të regjistruara 11 njësi biznesore në ARBK, kryesisht në Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë.

Gazeta Insajderi kishte raportuar në 2022 për dyshime ndaj operimit të kompanisë në Gjilan

Në vitin 2022, Insajderi kishte raportuar për një operim të dyshimtë të biznesmenit Sait Grainca me naftë në Gjilan, rast për të cilin Policia e Kosovës kishte nisur hetime.

Biznesmeni Grainca ishte zgjeruar në Gjilan për të hapur një pikë karburanti, por mënyra e zgjerimit në afarizëm ishte vënë në pikëpyetje që nga fillimi nga marrja e pëlqimeve dhe licencave, deri te mënyra e operimit.

Policia e Kosovës kishte nisur hetime lidhur me këtë rast pas raportimeve të Insajderit.

Në vitin 2020, Sait Grainca kishte vendosur që biznesin e tij për shitje të naftës, “Euro-Miti”, ta zgjeronte me një pikë të re në Gjilan.

Megjithatë, që në fillim të punës, projekti ishte përballur me një denoncim nga banorët e zonës, të cilët kishin ngritur shqetësime për sigurinë. Ky denoncim ishte adresuar në Komunën e Gjilanit dhe në Policinë e Kosovës, por banorët pretendonin se nuk kishin marrë përgjigje.

Në peticionin e dorëzuar nga banorët përmes një avokati thuhej se ngastra ku po ndërtohej pika e karburantit nuk i plotësonte kushtet ligjore.

“Ngastra ku është filluar projekti nuk i plotëson kushtet ligjore për pompë të benzinës… duhet që detyrimisht distanca në mes të rezervuarve të naftës e gazit dhe objekteve të tjera ndërtimore të jetë së paku 25 metra. Në rastin konkret, duke pasur parasysh që në kufi të ngastrës ku është duke u ndërtuar projekti ndodhet marketi në të cilin frekuentojnë për blerje numër i madh i qytetarëve, konsiderojmë që është rrezik permanent dhe potencial për sigurinë dhe jetën e njerëzve”, thuhej në peticion.

Pas mungesës së përgjigjeve, Ridvan Murati, i cili kishte një pikë karburanti në atë zonë dhe ishte gjithashtu banor, kishte vendosur që rastin ta dërgonte në Polici.

Insajderi ka raportuar se hetimet ishin zhvilluar lidhur me mënyrën se si ishte ndërtuar, licencuar dhe operonte pika e “Euro-Miti” në Gjilan.

“Lidhur me rastin, nga hetuesi janë zhvilluar një mori veprimesh hetimore duke përfshirë: intervista të pronarëve të kompanisë së apostrofuar, intervista të zyrtarëve të AME-së (Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave), janë pranuar raporte të inspektimit nga inspektorati i MINT, janë pranuar shkresat nga AME, KK Gjilan si dhe MINT”, kishte deklaruar Policia për Insajderin.

Për shkak të vazhdimit të hetimeve, Policia nuk kishte dhënë më shumë detaje.

Në intervistën e dhënë për Insajderin, Ridvan Murati kishte deklaruar se banorët kishin bërë peticion sepse e konsideronin ndërtimin e pikës së karburantit si të rrezikshëm.

“Ne kemi bërë një peticion që e kemi dërguar në komunë dhe në Polici pasi që si banorë e kemi parë si të rrezikshme”, kishte thënë Murati.

Ai kishte shtuar se veprimet e banorëve ishin ndërmarrë gjatë viteve 2020-2021.

“Ne nuk kemi marrë përgjigje. Nuk jemi ndalur, dhe nuk do të ndalemi, pasi që aq është e rrezikshme, sa që nuk mund ta marrësh me mend”, kishte deklaruar Murati për Insajderin.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark