Insajderi
Editorial

Barnat, mes fuqisë terapeutike dhe përgjegjësisë profesionale

Insajderi
20 July 2026 - 20:23
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Barnat, mes fuqisë terapeutike dhe përgjegjësisë profesionale
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkruan: Dr. Faki Hoti

Barnat mbeten një nga arritjet më të mëdha të mjekësisë moderne dhe një nga shtyllat kryesore të çdo sistemi shëndetësor. Ato kanë ndryshuar rrënjësisht historinë e sëmundjeve, duke shpëtuar jetë, duke kontrolluar sëmundje kronike dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës. Megjithatë, fuqia e tyre vjen gjithmonë e shoqëruar me përgjegjësi të lartë profesionale dhe institucionale.

Asnjë bar nuk është krejtësisht pa rrezik. Efektet e padëshiruara, ndërveprimet medikamentoze dhe përdorimi jo racional i barnave mbeten sfida të vazhdueshme të praktikës klinike. Për këtë arsye, siguria e barnave nuk është vetëm një komponent teknik i sistemit shëndetësor, por një obligim i përditshëm etik dhe profesional. Farmakovigjilenca, raportimi i saktë dhe në kohë i reaksioneve të padëshiruara, si dhe analiza sistematike e tyre, janë themeli i mbrojtjes së pacientit dhe përmirësimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor.

Në praktikën klinike moderne, përdorimi i barnave kërkon vendimmarrje të bazuar në evidencë, por edhe vlerësim të kujdesshëm individual. Edukimi i vazhdueshëm profesional nuk është më opsion, por domosdoshmëri.

Në kontekstin e sistemit shëndetësor në Kosovë, disa sfida specifike mbeten veçanërisht të theksuara dhe kërkojnë adresim të menjëhershëm institucional dhe profesional. Ndër to, përdorimi jo racional i antibiotikëve në kujdesin parësor zë një vend të rëndësishëm, veçanërisht përshkrimi i shpeshtë dhe jo gjithmonë i arsyetuar i barnave si shembull përdorimi i ceftriaksonit në Kujdesin Parësor Shëndetësor, me pasoja të mundshme në rritjen e rezistencës antimikrobike. Shqetësues mbetet edhe vetë-mjekimi i qytetarëve, veçanërisht përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve pa përshkrim mjeku, si dhe dobësitë në zbatimin e recetës, e cila në mungesë të një sistemi funksional të sigurimeve shëndetësore shpesh humb rolin e saj rregullues në përdorimin racional të barnave.

Po ashtu, mungesa e mekanizmave vendorë të qëndrueshëm për kontrollin e vazhdueshëm të cilësisë së barnave në treg përbën një tjetër sfidë serioze për sigurinë farmaceutike. Kjo situatë ndërlidhet edhe me mekanizmat ende të brishtë të farmakovigjilencës, të cilët kërkojnë forcim institucional, raportim më aktiv dhe kulturë më të zhvilluar të sigurisë së barnave në praktikën klinike.

Një dimension tjetër i rëndësishëm është barra financiare mbi qytetarët, të cilët shpesh përballen me shpenzime të konsiderueshme për barna, në një situatë ku Kosova ka ligj për Sigurime shëndetësore, por nuk ka sigurime. Kjo krijon pabarazi në qasje dhe shpenzime të larta nga xhepi i qytetarëve duke e sfiduar parimin e mbrojtjes universale shëndetësore.

Ky numër i revistës “Mjeku” i kushtohet pikërisht barnave, fuqisë së tyre shëruese, përdorimit specifik të tyre dhe sfidave përballë zhvillimeve farmaceutike. Përmes artikujve dhe kontributeve të përfshira, synohet të ofrohet një pasqyrë e zhvillimeve aktuale dhe praktikave më të mira në këtë fushë thelbësore të mjekësisë.

Shprehim mirënjohje të veçantë për të gjithë autorët dhe kontribuuesit që me punën e tyre e kanë bërë të mundur këtë numër tematik.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark