Insajderi
Sport

Llogaria e Ronaldos në Instagram e bën “like” një postim që e akuzon FIFA-n për ndihmë ndaj Argjentinës

Insajderi
21 July 2026 - 17:20
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Llogaria e Ronaldos në Instagram e bën “like” një postim që e akuzon FIFA-n për ndihmë ndaj Argjentinës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Cristiano Ronaldo është bërë sërish temë diskutimi në rrjetet sociale, pasi llogaria e tij në Instagram duket se ka pëlqyer një postim që akuzonte FIFA-n si “një nga institucionet më të korruptuara në planet”, pas kualifikimit të Argjentinës në finalen e Kupës së Botës.

Këtë verë, Ronaldo zhvilloi Botërorin e tij të fundit me Portugalinë, e cila u eliminua në fazën e 1/8 së finales nga kampionia e ardhshme, Spanja.

Nga ana tjetër, Argjentina arriti në finalen e madhe në New Jersey pas një rruge të shoqëruar me polemika, ku veçanërisht u komentua fitorja 3-2 ndaj Egjiptit në 1/8 e finales.

Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, akuzoi FIFA-n për favorizim të Lionel Messit, pasi disa vendime të arbitrave shkuan kundër skuadrës së tij, përfshirë anulimin e golit të Mostafa Zikos në pjesën e dytë për një faull në aksionin paraprak.

“Gjithçka ka të bëjë me paratë. Ata duan që Messi të mbetet në turne. Në futboll ndodhin shumë gjëra jashtë fushës për shkak të interesave. Ajo që ndodhi ishte e padrejtë. Egjipti e meritonte të kualifikohej. Ne ishim skuadra më e mirë”, deklaroi Hassan.

Akuzat vazhduan edhe në çerekfinale, kur Argjentina përfitoi nga ndërhyrja e VAR-it për ta lënë Zvicrën me 10 lojtarë, ndërsa edhe në gjysmëfinalen ndaj Anglisë pati disa vendime që u konsideruan në favor të argjentinasve.

Mes gjithë këtyre polemikave, Cristiano Ronaldo duket se pëlqeu një postim të publikuar nga kanali spanjoll “Espejo Público”, ku pretendohej se Argjentina ishte favorizuar nga FIFA.

Në videon e publikuar para finales, gazetarja spanjolle Pilar Rodriguez Losantos deklaroi: “Argjentina duhej të ishte eliminuar të paktën pesë ndeshje më parë. Ata janë ende në turne vetëm falë ndihmës së FIFA-s, e cila është një nga institucionet më të korruptuara në planet. Nuk kam aspak frikë nga Argjentina; kam më shumë frikë nga Gianni Infantino. Mendoj se nuk do të luajmë kundër Argjentinës, por kundër gjithë FIFA-s, e cila dëshiron t’ia dhurojë Kupën e Botës Lionel Messit”.

Në të njëjtin emision, Ruben Amon e quajti FIFA-n një “mafi” dhe një “organizatë të turpshme”.

“Çmimet e biletave e kanë kthyer atë që dikur ishte një sport i masave në një përvojë të rezervuar vetëm për elitën. Futbolli është sporti i popullit, por nuk është më i tillë. Unë e konsideroj FIFA-n një organizatë të neveritshme, mafioze dhe të turpshme. Futbolli mbijeton pavarësisht sjelljes së këtij institucioni shqetësues dhe ne do ta shijojmë ende ndeshjen, por jo falë kushteve që ka krijuar FIFA”, tha ai.

Në fillim të këtij muaji, ëndrra e Ronaldos për ta fituar Kupën e Botës mori fund në Dallas, ku Portugalia u eliminua nga Spanja në fazën e 1/8 së finales.

Në intervistën pas ndeshjes, 41-vjeçari konfirmoi se kishte zhvilluar ndeshjen e fundit të karrierës së tij në një Kupë Bote.

“Jam i trishtuar që po largohem në këtë mënyrë, por kam dhënë gjithçka, gjithmonë kam dhënë më të mirën. Po largohem me ndërgjegje të pastër. Ky është futbolli, kjo është jeta e një futbollisti. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet. Duhet të vazhdosh përpara. Ishte Kupa ime e fundit e Botës, por për gjithçka tjetër do të ketë kohë të mendoj, të jem me familjen time dhe të mos marr vendime në momentet e nxehta”, deklaroi Cristiano Ronaldo.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark