Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se ka urdhëruar ndalimin e punimeve në 16 vendpunishte në komunat Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit për punën dhe sigurinë e shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimeve të realizuara në këto vendpunishte janë evidentuar parregullsi që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e punimeve deri në eliminimin e të gjitha shkeljeve të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati ka bërë të ditur se këto masa kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e sigurisë së punëtorëve. Sipas njoftimit, rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë. /Insajderi.org/