Afro 420 mijë euro nga paratë e publikut u shpenzuan mes shkeljeve financiare dhe zvarritjes së funksionalizimit të çerdhes në Shipol të Mitrovicës, sipas raportit më të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Auditori ka zbardhur një mori shkeljesh e keqmenaxhimesh për këtë projekt, duke nxjerrë me përgjegjësi direkte dy pushtetet që udhëhoqën komunën ndër vite – Vetëvendosjen që e nisi projektin në vitin 2020 me Agim Bahtirin, si dhe Partinë Demokratike të Kosovës, e cila nën udhëheqjen e Bedri Hamzës u mjaftua me një përurim pak para zgjedhjeve, përkundër se objekti në atë kohë u mbyll sërish për shkak të defekteve teknike.
Gjithçka kishte nisur në prill të vitit 2020, kur ish-kryetari i Mitrovicës nga radhët e LVV-së, Agim Bahtiri, nënshkroi marrëveshjen e bashkëfinancimit prej 300 mijë eurove me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në korrik të po atij viti, komuna lidhi kontratën fillestare për ndërtimin e çerdhes në vlerë prej 293,462 eurove, me afat kryerjeje prej një vit

Në vend të realizimit të projektit, qeverisja e atëhershme u arsyetua me pengesat e pandemisë për ta shtyrë afatin.
Deri në përfundim të mandatit të Bahtirit, komuna i kishte paguar kompanisë 240,948 euro (ose 82% të vlerës totale të kontratës), mirëpo objekti u braktis plotësisht i papërfunduar dhe jashtë çdo funksioni.
Për më tepër, në shtator 2022, operatori ekonomik i kërkoi komunës edhe 351,394 euro të tjera për punë shtesë për shkak të gabimeve në paramasën e projektit, gjë që e dërgoi përplasjen në procedura përmbarimore dhe në gjykatë.
Tenderët shtesë dhe përurimi elektoral i Bedri Hamzës
Me ndërrimin e pushtetit dhe ardhjen e PDK-së në krye të Mitrovicës, kryetari Bedri Hamza e trashëgoi projektin e bllokuar, por në vend të llogaridhënies apo kërkimit të përgjegjësisë nga operatori, komuna zgjodhi rrugën e lidhjes së kontratave të reja.
Gjatë kësaj periudhe u nënshkrua kontrata “Faza e Fundit” prej 147,838 eurove, e cila u përcjell edhe me një sërë tenderësh të tjerë për dritare, gjelbërim e adaptim të rrjetit elektrik.
Më 30 shtator 2025, pikërisht pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit Hamza e përuroi Institucionin Parashkollor “Dritë Dielli” në Shipol, duke e proklamuar atë si “premtim të përmbushur”.

Ndërkohë që gara për kryetarin e ri po vazhdonte, dhe një pikë diskutimi mes dy kandidatëve, Faton Peci nga LVV dhe Arian Tahiri nga PDK-ja, ishte pikërisht kjo çështje.
Kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci, kishte premtuar publikisht se me ardhjen e tij në pushtet do ta ndërtonte çerdhen në Shipol. Ndaj këtij premtimi reagoi ashpër kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, i cili e akuzoi Pecin se po tregohej i painformuar për Mitrovicën, pasi sipas tij çerdhja tashmë ishte ndërtuar nga qeverisja e PDK-së dhe po lëshohej në përdorim po atë javë.
Mirëpo, zhurma e shiritit të prerë më 30 shtator dhe përplasjet elektorale zgjatën shumë pak.

Vetëm dy muaj pas zgjedhjeve dhe ceremonisë festive, çerdhja e përuruar u detyrua t’i mbyllë dyert përsëri për shkak të defekteve me rrjetin elektrik dhe kushteve teknike.
Por, çfarë zbuloi saktësisht Auditori i Përgjithshëm?
Jashtë premtimeve politike, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit zbardh saktësisht dëmin e madh financiar dhe keqmenaxhimin me këtë projekt.
“Menaxhimi i dobët i projektit, vonesat e operatorit ekonomik, mangësitë në planifikim dhe mungesa e koordinimit effektiv rezultuan në mosfunksionalizimin e objektit, kosto shtesë dhe nevojën për riparimin e punimeve të realizuara më herët,” ka konstatuar auditori.
Duke analizuar rritjen e kostos së projektit prej 43%, raporti nxjerr në pah se si tenderët e ri e frynë buxhetin.
“Si rrjedhojë, ndonëse kontrata fillestare ishte lidhur në vlerë prej 293,462 euro, për përfundimin dhe funksionalizimin e objektit komuna kishte realizuar kontrata dhe ndërhyrje shtesë, duke e çuar vlerën totale të investimit në 419,815 euro. Rrjedhimisht, kostoja e projektit ishte rritur për 126,353 euro ose 43% krahasuar me vlerën e kontratës fillestare,” ka gjetur auditori.
Gjithashtu, për sa i përket kontestit me kompaninë e parë që udhëhoqi punimet në kohën e Agim Bahtirit, ZKA-ja tërheq vërejtjen se. “Pretendimi i operatorit ekonomik për pagesë në vlerë prej 351,394 euro vazhdon të jetë objekt i procedurave gjyqësore,” ka evidentuar auditori, duke shtuar se “procedura gjyqësore ende e hapur lidhur me pretendimet e operatorit ekonomik paraqet rrezik për kosto dhe obligime shtesë financiare për komunën.
Një nga gjetjet më goditëse të raportit ka të bëjë me faturimet dhe pagesat e dyfishta nga arka e komunës për të njëjtat punë ndërtimore.
“Përveç kësaj, është vërejtur se komuna kishte realizuar punime në objekt edhe përmes kontratës kornizë ‘Mirëmbajtja Teknike e Institucioneve Arsimore’, ndonëse kontrata ‘Ndërtimi i Çerdhes për Fëmijë në Shipol – Faza e Fundit’ ishte ende aktive dhe në proces të zbatimit… Sipas sqarimeve të menaxherit të kontratës, lyerja dhe suvatimi nuk përbënin punime të reja, pasi ishin kryer më herët gjatë ndërtimit të objektit. Megjithatë, për shkak se objekti kishte qëndruar për një periudhë të gjatë i papërfunduar dhe jashtë funksionit, ishte paraqitur nevoja për përsëritjen e tyre,” ka evidentuar ZKA.
Auditori ka potencuar se “Këto mangësi kanë rezultuar në mosfunksionalizimin e objektit dhe si pasojë, në mosofrimin e shërbimeve të planifikuara për përfituesit për një periudhë të gjatë kohore, si dhe në rritje të kostove financiare dhe nevojë për angazhim shtesë të burimeve”.
Rrjedhimisht, ZKA i ka rekomanduar kryetarit të komunës se “…duhet të sigurojë që projektet kapitale të planifikohen dhe menaxhohen në mënyrë efektive, duke siguruar hartimin e saktë të paramasave, mbikëqyrjen e duhur të realizimit të kontratave dhe ndërmarrjen me kohë të veprimeve të nevojshme për përfundimin e tyre“.
/Insajderi