Insajderi
Lajme

Goditet kontrabanda në Bërnjak, sekuestrohen mbi 5 mijë boksa cigare dhe dy automjete

Insajderi
24 July 2026 - 22:30
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Goditet kontrabanda në Bërnjak, sekuestrohen mbi 5 mijë boksa cigare dhe dy automjete
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në zonën kufitare të Bërnjakut, pas pranimit të informatave për dyshime lidhur me kontrabandimin e mallrave.

Sipas Policisë, aksioni është realizuar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Gjatë operacionit, zyrtarët policorë kanë lokalizuar një automjet të tipit “Audi” me targa të huaja, i cili ishte i ndaluar dhe pa vozitës. Dyshohet se automjeti ishte përdorur për kontrabandim të mallrave.

Gjatë kontrollit të një objekti dhe zonës përreth tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjithsej 5 mijë e 550 boksa cigare të llojeve të ndryshme. Po ashtu, në afërsi të objektit janë gjetur edhe 19 paketa cigaresh, të cilat dyshohet se ishin të kontrabanduara.

Lidhur me rastin, një person është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë operacionit është ndaluar edhe një kamion me targa të huaja, i cili ishte në lëvizje dhe transportonte materiale metalike. Sipas Policisë, drejtuesi i kamionit nuk posedonte dokumentacionin përkatës për këto materiale.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin kujdestar, ndërsa Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallrat dhe dy automjetet për procedura të mëtejshme.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti i është kaluar për trajtim Doganës së Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark