Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se takimi mes kandidatit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret.
Në një paraqitje në emisionin Rubikon, Çitaku ka thënë se gjatë takimit nuk ka pasur hapësirë reale për diskutim mbi çështjet politike.
Sipas saj, PDK-ja nuk ka marrë pjesë në takim për të negociuar poste, por për të diskutuar parimet mbi të cilat do të duhej të ndërtohej Kosova gjatë katër viteve të ardhshme.
“Është tmerruese se si synohet të reduktohet çështja e zgjedhjes së presidentit në një vend pune. Ne nuk po shkojmë për të negociuar për ta bërë dikë president. Kjo do të ishte reduktim deri në banalitet i zyrës së presidentit dhe i funksionimit demokratik. Ne nuk kemi shkuar në takim për të diskutuar për një vend pune, por për parimet, se si do të duket Kosova në katër vitet e ardhshme”, është shprehur Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se takimi i zhvilluar mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit nuk ka sjellë ndonjë zhvillim të ri në raport me pozicionet e palëve.
“Nuk ka pasur asnjë lloj hapësire për të diskutuar. Do të doja të kisha diçka ekskluzive, substanciale e domethënëse për të shpalosur, por nuk ka. Ka qenë një deja vu i takimeve të mëhershme, madje mund të them se ka pasur edhe kthim prapa në atë që mund të quhej ofertë. U tha: ‘Qeverinë e bëj vetë, Kuvendin e bëj vetë, po hajde ta bëjmë presidentin”, ka deklaruar Çitaku në Rubikon.