Insajderi
Insporti

Vinícius befason Haalandin me një ftesë të veçantë

Insajderi
24 July 2026 - 23:06
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vinícius befason Haalandin me një ftesë të veçantë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Vinícius Júnior i ka bërë një ftesë speciale Erling Haalandit për t’iu bashkuar në pushime, teksa ylli i Real Madridit dhe i Brazilit po kalon disa ditë në shoqërinë e aktorit amerikan Terry Crews.

Sulmuesi brazilian ka publikuar të premten disa fotografi me aktorin e njohur në rrjetet sociale, duke i shoqëruar ato me një mesazh të drejtpërdrejtë për sulmuesin e Manchester Cityt: “Po të presim, Erling”.

Vinícius po shijon disa ditë pushimi në qytetin e tij të lindjes, Rio de Janeiro, përpara se t’i bashkohet Real Madridit në përgatitjet për sezonin e ri.

Në njërën prej fotografive, braziliani shihet mbi shpinën e Terry Crews, ndërsa në disa të tjera të dy shfaqen duke u stërvitur me pesha dhe duke vizituar dhomën e trofeve të aktorit. Gjatë qëndrimit së bashku, Vinícius i ka prezantuar Crews edhe disa anëtarë të familjes së tij.

Lidhja mes Viníciusit, Haalandit dhe Terry Crews u krijua nga një meme që u bë virale gjatë Kupës së Botës. Inteligjenca artificiale kishte vendosur brazilianin dhe norvegjezin në një nga skenat më të famshme të filmit “White Chicks”, ku kishte luajtur edhe vetë Crews.

Vinícius ishte pjesë e Brazilit në Kupën e Botës, ku pati paraqitje të shkëlqyer duke shënuar katër gola në fazën e grupeve.

Megjithatë, “Seleção” u eliminua në fazën e 1/8 së finales nga Norvegjia, me Haalandin që realizoi dy gola në fitoren 2-1 të ekipit të tij.

Një nga momentet më të veçanta të asaj ndeshjeje ishte përqafimi mes Viníciusit dhe Haalandit në zonën miks të stadiumit “MetLife” në New Jersey.

Vinícius ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes gjatë javëve të fundit. Fillimisht për ndryshimin e dukshëm në pamjen e tij, që sipas raportimeve lidhet me ndërhyrje estetike, dhe më pas për ndërveprimet e vazhdueshme në rrjetet sociale me influencuesen braziliane Virginia Fonseca.

Çifti kishte bërë të ditur ndarjen më 15 maj, në prag të Kupës së Botës, por fotografitë dhe publikimet e fundit kanë shtuar spekulimet se ata mund të jenë ribashkuar.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark