Shkruan: Kenan Gashi
Kur zyrtarët publikë të Komunës së Ferizajt nuk e zbatojnë ligjin dhe nuk i frikësohen as përgjegjësisë ligjore, atëherë pushteti që u është besuar nga qytetarët shndërrohet në mjet presioni, kërcënimi dhe cenimi të sigurisë juridike.
Kohëve të fundit, dukuri të tilla janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Madje, ka raste kur zyrtarë të caktuar shprehen me arrogancë: “Çfarë nëse reagon ose publikon një shkelje? Askush nuk ka përfunduar në burg.” Një mentalitet i tillë tregon bindjen se janë mbi ligjin dhe se mund të veprojnë pa u përballur me pasoja.
Kur krijohet perceptimi se askush nuk mban përgjegjësi për shkeljet ligjore, atëherë dobësohet besimi i qytetarëve në institucionet publike dhe në drejtësi. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht pozitës që mban apo ndikimit që gëzon.
Shteti i së drejtës nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara, por me zbatimin e tyre të barabartë për të gjithë. Vetëm përgjegjësia, transparenca dhe ndëshkimi i shkeljeve mund të rikthejnë besimin e qytetarëve dhe të garantojnë siguri juridike.