Insajderi
Lajme

Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për krime lufte kundër civilëve

Insajderi
29 July 2026 - 17:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për krime lufte kundër civilëve
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve, M.J. dhe M.B., të cilët po hetohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Vendimi është marrë pas seancës dëgjimore, ku gjyqtarja e procedurës paraprake aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Gjykatës, paraburgimi është masë e domosdoshme për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që, nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata thekson se një nga arsyet kryesore për caktimin e paraburgimit është fakti se të dyshuarit janë shtetas të Serbisë, gjë që, sipas vlerësimit të saj, rrit rrezikun e arratisjes dhe pamundësinë për të siguruar praninë e tyre në procedurën penale.

“Duke marrë parasysh se të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet më tej në arsyetimin e Gjykatës.

Po ashtu, Gjykata vlerësoi se ekziston rreziku që të pandehurit, nëse mbrohen në liri, të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë.

“Gjykata gjithashtu vlerësoi se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit, tani për tani, është e vetmja masë për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark