Dy persona janë arrestuar në dy raste të ndara në rajonin e Pejës, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike të llojit marihuanë.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se njëri rast ka ndodhur në komunën e Pejës, ndërsa tjetri në komunën e Istogut.
Sipas Nikçit, të dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë.
“Në dy raste të ndara, një në Pejë dhe një në komunën e Istogut, janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit dy persona për kultivim të bimëve narkotike të dyshuara të llojit marihuanë. Janë diku rreth 20 bimë narkotike të kultivuara në dy rastet”, deklaroi Nikçi për Insajderin.
Ai shtoi se lidhur me këto dy raste do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Luftimin e Narkotikëve në Pejë.
Po ashtu, sipas Nikçit, prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale.