Ish-kryeinspektori i Punës, Agim Millaku, ka folur për rritjen e numrit të rasteve me pasoja fatale dhe lëndimeve në vendet e punës në Kosovë.
I ftuar në emisionin “Frontal” në T7, Millaku ka deklaruar se numri i vdekjeve në vendin e punës këtë vit është shqetësues, duke e krahasuar me mesataren e viteve të kaluara.
Sipas tij, në vitet paraprake mesatarisht kanë qenë rreth 10 deri në 11 raste të vdekjeve në vendet e punës gjatë një viti të plotë, ndërsa vetëm gjatë shtatë muajve të këtij viti janë regjistruar 16 raste me pasoja fatale.
“Ky numër që dëgjova prej mediave, prej 16 të aksidentuarve me pasoja fatale është një numër i madh, sepse mesatarja e njerëzve që kanë pësuar fatalitet në aksidente në vendet e punës në vitet e mëparshme ka qenë prej 10 deri në 11 për krejt vitin. Tani për 7 muaj janë 16”, ka thënë Millaku.
Ai ka vlerësuar se rritja e numrit të rasteve paraqet një situatë serioze sa i përket sigurisë dhe kushteve në vendet e punës në Kosovë.