Punimet e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë me dyer të mbyllura për median, pas përfundimit të fjalimit hyrës të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Gazetarët dhe kameramanët janë larguar nga salla, ku tashmë pritet të zhvillohet diskutimi dhe votimi për nismën e delegatëve që synon shkarkimin e Abdixhikut nga posti i kryetarit.
Kjo mbledhje po shënon një mobilizim të lartë brenda strukturave të partisë. Nga 355 delegatë sa numëron gjithsej Kuvendi i LDK-së, në sallë janë të pranishëm 328 prej tyre – duke e bërë këtë një nga kuvendet me pjesëmarrjen më të madhe në vitet e fundit.
Pjesëmarrja e sotme është dukshëm më e lartë edhe krahasuar me Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur më 31 janar, ku morën pjesë 303 delegatë dhe ku tentativa e atëhershme për shkarkim dështoi.
Pas mbylljes së dyerve për publikun, delegatët do të vendosin me votë sekrete për fatin e lidershipit aktual të LDK-së. Rezultati përfundimtar pritet të bëhet i ditur pas përfundimit të procesit të numërimit.