Chelsea është ndëshkuar nga Federata Angleze e Futbollit (FA) me një gjobë prej 10 milionë funtesh për shkelje të rregullave që lidhen me agjentët, të kryera gjatë një periudhe 13-vjeçare.
FA ngriti 74 akuza ndaj klubit për shkelje të Rregullit E1.2, pas vetëraportimeve të bëra nga pronarët aktualë të Chelseat.
Përveç gjobës financiare, “Blutë” janë dënuar edhe me ndalim të regjistrimit të lojtarëve për dy afate të plota dhe të njëpasnjëshme kalimtare.
Megjithatë, ky ndalim është pezulluar deri në qershor të vitit 2027, me kusht që Chelsea të mos shpallet fajtor për shkelje të tjera gjatë kësaj periudhe.
Në një deklaratë zyrtare, FA bëri të ditur se fillimisht kishte vendosur edhe një dënim me zbritje prej gjashtë pikësh në kampionat, i cili po ashtu ishte pezulluar deri në të njëjtën datë.
Ky vendim, megjithatë, u ndryshua pas një ankese të paraqitur nga klubi. Sanksioni fillestar ishte marrë që në muajin mars.
“Gjoba prej 10 milionë funtesh e vendosur nga Komisioni Rregullator nuk ishte objekt ankese dhe e gjithë shuma do të investohet në futbollin bazë”, thuhet në deklaratën e FA-së.
Akuzat kanë të bëjnë me periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2022, kur Chelsea ishte në pronësi të Roman Abramovich.
Pas marrjes së kontrollit të klubit, pronarët aktualë, BlueCo, raportuan vetë në FA atë që e përshkruan si “raportim potencialisht të paplotë financiar lidhur me transaksionet historike dhe shkelje të tjera të mundshme të rregullave të FA-së”.
Kjo nuk është hera e parë që Chelsea përballet me ndëshkime të tilla. Në korrik të vitit 2023, UEFA e gjobiti klubin me 8.57 milionë euro për shkelje të rregullave financiare që lidhen me periudhën 2012–2019.
Ndërkohë, edhe Premierliga hapi një hetim ndaj klubit, ku në qendër të vëmendjes ishin transferimet e Willian dhe Samuel Eto’o nga klubi rus Anzhi Makhachkala në vitin 2013.
Si rezultat i këtij hetimi, Chelsea u urdhërua të paguante një tarifë transferimi të papaguar prej 771,288 funtesh për këto dy transferime, ndërsa u ndëshkua edhe me një ndalim nëntëmujor për të transferuar lojtarë në akademinë e klubit.
Dënimi më i rëndë ndaj Chelseat erdhi në vitin 2019, kur klubi u shpall fajtor për transferimin e paligjshëm të futbollistëve nën moshën 18 vjeç.
Për këtë arsye, Chelsea u ndalua të regjistronte lojtarë të rinj për dy afate kalimtare gjatë sezonit 2019/20.
Gjatë asaj periudhe, transferimi i vetëm i klubit ishte blerja përfundimtare e Mateo Kovačić nga Real Madridi, pasi mesfushori kroat ndodhej në huazim te “Stamford Bridge” në momentin kur u shpall dënimi.