Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin në pozitën e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke zëvendësuar në këtë detyrë ish-ministrin Andin Hoti.
Limani është një aktivist shumëvjeçar i angazhuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ai është gjithashtu bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, që trajton masakrën e Krushës së Vogël, si dhe familjar i disa personave të zhdukur gjatë luftës.
Me rastin e emërimit, Kurti theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe i bëri thirrje Serbisë që të hapë arkivat ushtarake, në përputhje me Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë.
Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Ndërsa gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, e përsërisim thirrjen për trysni ndërkombëtare që Serbia të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, në veçanti për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë këtu ndryshimin e vendimit për klasifikim 30-vjeçar, deri më 2044, përkatësisht hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave”, thuhet në deklarim.