Raportet mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duket se nuk janë më të njëjtat si në fillim.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Paris Guri, i cili ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për Lumir Abdixhikun pas zhvillimeve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur për kryetarin e Prishtinës në një intervistë në emisionin Kosova Live në T7.
Sipas Gurit, ishte Abdixhiku ai që e solli Përparim Ramën në Prishtinë në një kohë kur, sipas tij, ai nuk njihej nga qytetarët. Ai shtoi se të dy fitoret e Ramës në zgjedhjet lokale kanë ardhur falë mbështetjes së LDK-së.
“E ka kandidu z. Abdixhiku kur në atë kohë Përparim Rama ka qenë i panjohur në Prishtinë. Me ndihmën e LDK u zgjodh kryetar edhe në 2021 edhe në 2025. Me ndihmën e LDK-së i ka rifitu zgjedhjet në vitin 2025”, ka deklaruar Guri.
Ai tha gjithashtu se edhe vetë personalisht ishte angazhuar në fushatën zgjedhore të Përparim Ramës.
Megjithatë, Guri shprehu pakënaqësi për mënyrën se si Rama ka menaxhuar koalicionet qeverisëse në Komunën e Prishtinës. Ai e cilësoi të papranueshme që LDK-së i janë ndarë vetëm tri drejtori, po aq sa Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë tetë drejtori.
“Pas mundit që e ka bo gjithë LDK-ja, LDK me i pasë tri drejtori barabartë sa i ka AAK-ja e tetë me i pas PDK-ja, për LDK-në është e papranueshme”, u shpreh ai.
Emrin e Përparim Ramës e ka përmendur edhe vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, nëse Rama është përfshirë në nismën për shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë, atëherë “ka gabuar rëndë”.