Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, i shoqëruar nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës, Avni Grajçevci, kanë vizituar sot Termocentralin Kosova A, Termocentralin Kosova B dhe Fabrikën e Pajisjeve Xehetare në Palaj.
Sipas një komunikate, gjatë takimeve me punëtorët janë ngritur një sërë shqetësimesh që lidhen me kushtet e punës. Punëtorët janë ankuar për temperaturat e larta në vendet e punës, ventilimin e dobët, ndriçimin e pamjaftueshëm, mungesën e higjienës, cilësinë e mjeteve mbrojtëse, pabarazinë në kompensime, si dhe për nevojën e rishikimit të vlerës së shujtës.
“U evidentuan gjithashtu mungesa e kuadrit profesional në Fabrikën e Pajisjeve Xehetare dhe problemet me transportin e punëtorëve”, thuhet në komunikatë.
Kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka përmendur edhe investimet që po bëhen në remontin e Termocentralit Kosova B, por ka theksuar se, ndonëse këto investime janë të domosdoshme, ato nuk e përmbushin qëllimin e tyre pa përmirësimin e kushteve të punës në sektorin energjetik.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkon nga Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës që, në bashkëpunim me Sindikatën e Pavarur të Energjetikës së Kosovës, të ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e ventilimit, të ndriçimit dhe të higjienës në vendet e punës, sigurimin e mjeteve mbrojtëse cilësore, rishikimin e vlerës së shujtës, zbatimin e barabartë të kompensimeve, plotësimin e vendeve të punës me kuadër profesional dhe zgjidhjen e problemeve të transportit të punëtorëve”, thuhet në komunikatë.
Në fund, BSPK bëri të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër zbatimin e këtyre kërkesave në bashkëpunim me Sindikatën e Pavarur të Energjetikës së Kosovës.
“BSPK do ta përcjellë nga afër zbatimin e këtyre kërkesave, në bashkëpunim me Sindikatën e Pavarur të Energjetikës së Kosovës, duke kërkuar që secili shqetësim i ngritur nga punëtorët të marrë zgjidhjen që meriton. Punëtori nuk mund të kujtohet vetëm kur kërkohet prodhim më i madh, por duhet të respektohet çdo ditë, sepse mbi punën, dijen dhe përkushtimin e tij mbështetet siguria energjetike e Republikës së Kosovës. Prandaj, aty ku është punëtori, aty do të jetë edhe BSPK-ja, për ta dëgjuar, për ta përfaqësuar dhe për të kërkuar me këmbëngulje që puna e ndershme të shoqërohet me kushte të denja, me mbrojtje të plotë dhe me trajtim të barabartë”, përfundon komunikata.