Insajderi
Insporti

Juventusi nis kontaktet me Manchester Cityn për yllin e mesfushës

Insajderi
31 July 2026 - 18:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Juventusi nis kontaktet me Manchester Cityn për yllin e mesfushës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Juventusi ka nisur kontaktet e para me Manchester Cityn për një transferim të mundshëm të mesfushorit Tijjani Reijnders, ndërsa klubi bardhezi po shqyrton alternativa pas ngecjes së negociatave me Franck Kessién.

Sipas “Tuttomercatoweb”, duke iu referuar “La Stampas”, Juventusi ka zhvilluar bisedime paraprake si me përfaqësuesit e Reijnders, për të kuptuar gatishmërinë e tij për t’iu bashkuar projektit të klubit, ashtu edhe me Manchester Cityn, për të parë nëse klubi anglez do të ishte i gatshëm ta lejonte largimin e tij në formë huazimi.

Për momentin nuk bëhet fjalë për negociata zyrtare, por dialogu mes palëve pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim.

Interesimi i Juventusit për Reijnders lidhet me dëshirën e klubit për të rinovuar dhe forcuar repartin e mesfushës, një zonë ku trajneri Luciano Spalletti kërkon përforcime të reja.

Reprezentuesi i Holandës është një tjetër ish-futbollist i Milanit që ka kaluar në radarët e Juventusit.

Reijnders iu bashkua Manchester Cityt vetëm një vit më parë për rreth 55 milionë euro, por sipas raportimeve ai tashmë ka humbur terren në hierarkinë e skuadrës së Enzo Marescës, pavarësisht një fillimi premtues në futbollin anglez.

Kandidatura e tij ka fituar më shumë rëndësi edhe për shkak të faktit se marrëveshja e Juventusit me Franck Kessién ende nuk është finalizuar.

Ish-mesfushori i Milanit është lojtar i lirë që nga 30 qershori dhe gjatë ditëve të fundit është afruar me një marrëveshje me Juventusin. Megjithatë, ai nuk është i gatshëm të presë pafundësisht dhe ka bërë të qartë se dëshiron ta zgjidhë sa më shpejt të ardhmen e tij.

Situata bëhet edhe më e ndërlikuar për Juventusin për shkak të mbipopullimit në mesfushë, ku aktualisht numërohen tetë futbollistë. Për këtë arsye, klubi duhet të largojë të paktën një ose më shumë lojtarë përpara se të afrojë përforcime të reja.

Përveç Tijjani Reijnders, Juventusi po monitoron edhe Leon Goretzkën dhe Davide Frattesin si alternativa të mundshme, por për momentin mesfushori holandez konsiderohet emri më interesant në listën e objektivave të bardhezinjve.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark