Insajderi
Lajme

Kurti rifillon lëvizjet për formimin e institucioneve, AAK konfirmon se ka marrë ftesë për takim

Insajderi
03 August 2026 - 15:44
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kurti rifillon lëvizjet për formimin e institucioneve, AAK konfirmon se ka marrë ftesë për takim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka nisur një përpjekje të re për formimin e institucioneve, duke u dërguar ftesë për takim partive politike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar se ka pranuar ftesën nga Kurti.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

“Po, e kemi pranuar ftesën sot”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, paralajmëroi negociata “më të thelluara” me LDK-në gjatë kësaj jave.

Në një deklaratë për T7, ai tha se pret që para seancës konstituive të Kuvendit, e cila do të mbahet të enjten, të zhvillohen takime të tjera politike me qëllim të formimit të institucioneve.

“Unë pres që në ditët në vijim, bile edhe para mbajtjes së seancës, të ketë edhe takime të tjera të nivelit politik mes partive politike, krejt me qëllimin që të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe t’i jepet mundësia krijimit të institucioneve të reja”, tha Konjufca.

Ai shtoi se pret që LVV-ja t’i dërgojë ftesë edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për bisedime.

“Kjo është arsyeja pse 6 gushti u caktua, siç e keni parë, dhe pres që në ditët në vijim edhe t’i dërgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kemi bisedime sa i përket kësaj mundësie”, u shpreh ai.

I pyetur nëse pas konstituimit të Kuvendit pret që institucionet e tjera të formohen shpejt, Konjufca tha se është shumë optimist se me LDK-në mund të arrihet një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta shtetërore.

“Po, edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjegu edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”, deklaroi ai.

“Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së, është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje besoj”, shtoi Konjufca.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark