Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar sërish ftesa për takim liderëve të tri partive politike, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Këto janë ftesat e dyta që partitë kanë pranuar nga Kurti, vetëm pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar të mbahet më 6 gusht.
PDK-ja dhe LDK-ja kanë konfirmuar pranimin e ftesave për takim, ndërsa më herët edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte pranuar ftesë nga Kurti.
Pas takimeve të para me Kurtin, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte deklaruar se partia e tij do të qëndrojë në opozitë.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte lënë hapësirë për vazhdimin e takimeve, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje politike.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e kishte refuzuar ftesën e parë për takim të dërguar nga Kurti.
Takimet e reja vijnë në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike para konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.