Bllokada politike dhe pamundësia për të krijuar institucionet e reja pas zgjedhjeve nuk përbëjnë më vetëm një krizë politike. Ato po shndërrohen në një kërcënim real për funksionimin e shtetit dhe, nëse vazhdojnë, mund të cenojnë drejtpërdrejt edhe sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Shkruan: Bedri Elezi
Nëse mungesa e marrëveshjes politike e dërgon vendin përsëri në zgjedhje, Kosova rrezikon të mbetet për një periudhë të gjatë me institucione të paplota, me qeveri në detyrë, me Kuvend jofunksional dhe me procese të rëndësishme shtetërore të bllokuara. Një situatë e tillë nuk është thjesht një krizë administrative, por krijon vakum institucional, ngadalëson vendimmarrjen strategjike dhe dobëson kapacitetin e shtetit për t’u përballur me sfidat e sigurisë.
Pasojat janë të shumëfishta. Dhjetëra institucione dhe agjenci mund të mbeten pa borde drejtuese, emërimet në pozita kyçe shtyhen pafundësisht, ndërsa mekanizmat kushtetues që kërkojnë funksionimin e plotë të Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës mbeten të paralizuar. Kjo krijon pasiguri institucionale, ul besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe dobëson aftësinë e shtetit për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo rreziku.
Në një rajon që vazhdon të përballet me tensione gjeopolitike, fushata dezinformuese, kërcënime hibride dhe përpjekje për destabilizim, çdo boshllëk institucional mund të shfrytëzohet nga aktorë që synojnë dobësimin e Republikës së Kosovës. Historia ka dëshmuar se krizat politike shpesh shndërrohen në sfida të sigurisë kur institucionet nuk funksionojnë me kapacitet të plotë.
Prandaj, përgjegjësia e klasës politike nuk është vetëm të arrijë marrëveshje për ndarjen e pushtetit, por të garantojë funksionalitetin e shtetit. Interesi shtetëror dhe siguria kombëtare duhet të jenë mbi çdo kalkulim partiak.
Kosova nuk ka luksin të mbetet peng i bllokadave politike. Çdo ditë pa institucione të plota është një ditë në të cilën dobësohet funksionimi demokratik i shtetit dhe rritet ekspozimi ndaj rreziqeve të brendshme dhe të jashtme. Siguria politike është themeli i sigurisë kombëtare, dhe çdo cenim i saj përbën një alarm serioz për të ardhmen e Republikës së Kosovës.