Barcelona po planifikon të përforcojë disa reparte të skuadrës së Hansi Flick gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa një nga pozitat që mund të pësojë ndryshime është krahu i majtë i mbrojtjes.
E ardhmja e Joao Cancelos mbetet e paqartë, pasi klubi katalanas nuk është i gatshëm të paguajë shumën që Al Hilal kërkon për transferimin e tij përfundimtar.
Në të njëjtën kohë, edhe Alejandro Balde dhe Gerard Martin kanë të ardhme të pasigurt. Për Balden ka interesim nga Manchester United, ndërsa Milani po monitoron situatën e Gerard Martinit.
Për këtë arsye, drejtori sportiv Deco ka nisur kërkimet për alternativa dhe, sipas mediumit “Sport”, ka përpiluar një listë me tre kandidatë kryesorë: Alejandro Grimaldo, Andrea Cambiaso dhe Lewis Hall.
Grimaldo, i cili është produkt i akademisë së famshme “La Masia”, ka qenë prej kohësh në radarët e Barcelonës dhe ishte shumë pranë rikthimit në klub gjatë verës së kaluar. Ai konsiderohet si një profil që përshtatet në mënyrë ideale me stilin e lojës që preferon Hansi Flick.
Ndërkohë, transferimi i Andrea Cambiasos nga Juventusi shihet si më i vështirë, pasi klubi italian kërkon të paktën 30 milionë euro për kartonin e tij. Megjithatë, aftësia e italianit për të luajtur në të dy krahët e mbrojtjes – njësoj si Joao Cancelo – e bën atë një opsion shumë tërheqës për katalanasit.
Emri i tretë në listë është Lewis Hall. Mbrojtësi anglez është shtuar së fundmi në planet e Barcelonës pas paraqitjeve të shkëlqyera me Newcastle United, përfshirë edhe ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës. Megjithatë, Newcastle nuk është i gatshëm ta shesë lojtarin për më pak se 50-60 milionë euro.
Barcelona nuk pritet të ketë një buxhet të madh për transferimin e një mbrojtësi krahu, pasi prioritetet e klubit për këtë verë mbeten afrimi i një qendërmbrojtësi, një anësori të majtë dhe një sulmuesi.
Për këtë arsye, shumëçka do të varet nga e ardhmja e Alejandro Baldes dhe Gerard Martinit, të cilët, sipas pritshmërive aktuale, do të qëndrojnë në klub, përveç nëse Barcelona pranon oferta të mëdha për ta.