Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë një person të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi” dhe “Mashtrim”.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
“Pas pranimit të informacioneve në lidhje me veprimet e një personi të dyshuar, me të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi’ dhe ‘Mashtrim’, janë ndërmarrë veprime hetimore dhe operative, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarit, mashkull kosovar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas autoriteteve, i dyshuari dyshohet se ka keqpërdorur investimet e ankuesit, një shtetas i huaj, duke i shkaktuar këtij të fundit një dëm financiar prej rreth 500 mijë eurosh.
Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka vendosur që, pas intervistimit të të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës, ai të ndalohet për 48 orë.