Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se i ka paraqitur Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka keqpërdorur mjetet financiare të investuara nga një person tjetër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë prej rreth 500 mijë euro.
Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është paraqitur pasi Prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale për caktimin e kësaj mase. Sipas saj, paraburgimi kërkohet me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit në procedurën penale, zhvillimit të papenguar të hetimeve, si dhe parandalimit të rrethanave që mund të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.