Insajderi
Lajme

Hamza i përgjigjet Kurtit: Mbesim në opozitë, konstituoje Kuvendin 

Insajderi
07 August 2026 - 12:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hamza i përgjigjet Kurtit: Mbesim në opozitë, konstituoje Kuvendin 
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas ftesës së tij të re për takim, duke falënderuar për ftesën dhe duke përsëritur qëndrimin e shprehur edhe në takimin e 10 korrikut se PDK do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

Hamza ka bërë të ditur se vendimi i PDK-së për të mos u bërë pjesë e qeverisë së ardhshme lidhet me dallimet programore dhe konceptuale që kjo parti i ka me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aty do ta japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, ka shkruar Hamza në letrën drejtuar Kurtit.

Në vijim të letrës, kreu i PDK-së i ka kërkuar Kurtit që të ndërmarrë sot hapat e nevojshëm për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar Hamza.

Në fund të letrës, Hamza ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark