Insajderi
Lajme

“Një e drejtë kushtetuese s’mund ta bllokojë shtetin”

Insajderi
09 August 2026 - 12:53
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Një e drejtë kushtetuese s’mund ta bllokojë shtetin”
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

“Gjendja aktuale e moskonstituimit të Kuvendit ka hyrë në një fazë alarmante dhe kundërkushtetuese, e cila nuk mund të tolerohet të vazhdojë pafundësisht. Një e drejtë kushtetuese nuk mund të shndërrohet në precedent për të mbajtur peng funksionimin e institucioneve të Republikës”, kështu ka vlerësuar juristi Ardian Bajraktari përmes një reagimi publik.

Ai ka theksuar se në mungesë të marrëveshjeve politike, vendi gjendet përballë një ngërçi që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Për të dalë nga kjo bllokadë institucionale, Bajraktari ka vënë në pah tri alternativa konkrete.

Ky është postimi i tij i plotë:

Tri alternativa për një situatë që nuk mund të vazhdojë pafundësisht

Gjendja aktuale e moskonstituimit të Kuvendit është kundërkushtetuese dhe si e tillë, nuk mund të shndërrohet në precedent ku një e drejtë kushtetuese përdoret për ta bllokuar vetë funksionimin e institucioneve.

Në këtë situatë, në mungesë të marrëveshjeve, janë tri alternativa:

E para, të pajtohemi me këtë gjendje deri në mesin e shtatorit, kur eventualisht mund të bëhet propozimi i kandidatit/es për Kryetar/e të Kuvendit. Nga ai moment do të fillonin të rridhnin afatet kushtetuese prej 60 + 45 ditësh, çka do të mund t’i shtynte zgjedhjet deri në fund të dhjetorit, me shumë gjasë më 27 dhjetor.

E dyta, të procedohet kandidati i subjektit të dytë, ose i ndonjë subjekti tjetër, nëse arrin t’i sigurojë së paku 61 vota. Sepse e drejta për të propozuar nuk është e drejtë absolute. Kur ajo nuk ushtrohet brenda një kohe të arsyeshme dhe përdoret për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit, atëherë seriozisht shtrohet çështja e abuzimit me të drejtën e propozimit.

E treta, çështja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kjo për faktin se tashmë është konstatuar se konstituimi i Kuvendit është çështje kushtetuese. Gjykata ka përcaktuar afatin 30-ditor për konstituimin, por nuk ka përcaktuar shprehimisht sanksionin apo pasojën kushtetuese në rast të mosrespektimit të këtij afati.

Prandaj, Gjykatës duhet t’i kërkohet të qartësojë se çfarë ndodh kur një e drejtë kushtetuese shndërrohet në instrument të bllokimit të rendit kushtetues.

Tri alternativa janë para nesh. Një gjë duhet të jetë e qartë, asnjë e drejtë kushtetuese nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si e drejtë për ta mbajtur peng konstituimin e institucioneve të Republikës


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark