Nga propaganda klasike te linçimi online, mekanizmat e pushtetit që ndërtohen mbi urrejtjen përfundojnë duke prodhuar gjithnjë ‘armiq’ të rinj – edhe brenda vetes. Rasti i sulmeve ndaj Time Kadrijajt tregon se makineria digjitale e linçimit ka dalë nga kontrolli, duke fabrikuar lajme dhe duke deformuar realitetin për konsum politik. Në këtë logjikë, e vërteta bëhet e parëndësishme, ndërsa etiketa zëvendëson faktin. Historia ka treguar se këto sisteme nuk ndalen te kundërshtarët, por përfundojnë duke u kthyer kundër vetë krijuesve të tyre
Visar Duriqi
Maximilien Robespierre nuk ishte thjesht një emër në librat e historisë; ai ishte arkitekti i një makinerie që nuk njihte ndalesë. Ai e nisi Revolucionin Francez me idealin e pastrimit të shoqërisë, por përfundoi duke ndërtuar një gijotinë që, në fund, ia preu kokën edhe atij vetë në korrikun e vitit 1794.
Historia na mëson se kur krijon një përbindësh për të gllabëruar armiqtë, herët a vonë, ai përbindësh do të kthehet nga ti, i uritur dhe i pangopur. Robespieri nuk është i vetmi; historia është e mbushur me monstra që hanë krijuesit e tyre.
Saturnin, atë figurë mitologjike që, nga frika se mos e rrëzonin, filloi t’i hante fëmijët e vet një nga një.
Të kthehemi më afër në kohë e territor: Enver Hoxhën. Ai nuk i eliminoi vetëm ‘armiqtë e klasës’, por ai e nisi me kundërshtarët, vazhdoi me aleatët dhe përfundoi duke pushkatuar e ‘vetëvrarë’ shokët e tij më të ngushtë – nga Koçi Xoxe te Mehmet Shehu.
Kjo është natyra e çdo sistemi që ngrihet mbi urrejtjen dhe propagandën: ai ka nevojë për tradhtarë të rinj çdo ditë për të mbajtur gjallë motorin e vet.
Sot, në Kosovën e regjimit të ri, nuk kemi gijotina prej druri e metali në sheshet e Prishtinës, as biruca të nëndheshme të Sigurimit. Ani pse, nga ‘llafi’ që bëjnë mbështetësit e Kurtit online, fortë do ta dëshironin një gjë të tillë. Fjalë-për-fjalë: një trekëndësh për të varur kritikët e tij, gazetarët e opozitën. Shpesh edhe e shkruajnë kështu në komentet e tyre që mezi i lexon. Se, janë analfabetë.
Por, pasi që s’jemi në mesjetë, tash kemi diçka më perverse: gijotina digjitale dhe fshesën e hekurt të Facebook-ut, TikTok-ut…. Dhe këtë makineri, Lëvizja Vetëvendosje e ka perfeksionuar deri në pikën ku as vetë nuk e kontrollon dot më. Është një lloj “Frankensteini” digjital që po u del nga duart.
Rasti i fundit me deputeten Time Kadrijaj është pasqyra më e qartë e këtij degjenerimi. Pasi ajo gjuajti me vezë Albin Kurtin në Kuvend – një akt që mund ta quash si të duash, por që mbetet një protestë politike – u lëshua çartja e strukturave të propagandës. Nuk u mjaftuan me kritika politike. Makineria kërkon gjak digjital.
Dhe ja ku del Elvis Hoxha, këshilltari i kryeministrit, “profesori” që supozohet të na mësojë etikën, dhe shpërndan një ballinë të rreme të gazetës serbe “Blic”. Një lajm komplet i fabrikuar ku Marko Gjuriqi gjoja e lavdëronte Kadrijajn.
Kur u zbulua se ishte mashtrim, kërkoi falje duke thënë se “është vështirë të ndahet e vërteta nga rrena”. Por, nuk e tha se kush e solli këtu situatën- të mos e dallojmë më çka është rren e çka e vërtetë.
Kjo të kujton proceset e montuara staliniste, ku e vërteta nuk kishte rëndësi; rëndësi kishte vetëm etiketa që të ngjitej në ballë: bashkëpunëtor i serbit.
Çmenduria nuk ndalet këtu. Në skutat e errëta të TikTok-ut, faqe si “toka.pe” – një emër që tingëllon si mbetje organike e propagandës – publikojnë video ku Time Kadrijaj gjoja këndon e kërcen me këngët e Cecës, gruas së kriminelit Arkan. Me mbishkrimin ironik: “Albin Kurti ka faj që i ndau këto dy zemra”.
Të marrësh një video jashtë kontekstit, t’i montosh muzikë serbe një gruaje që ishte mjeke e UÇK-së, vetëm pse ajo guxoi të gjuante me vezë ‘Liderin Suprem’, tregon se kjo makineri ka hyrë në fazën e saj paranojake. Ashtu si në Fermën e Kafshëve të Orwell-it, ku rregullat ndryshonin brenda natës dhe Snowball-i, ish-heroi, shpallej tradhtar e agjent i njerëzve, edhe këtu historia po rishkruhet nëpër serverët e troll-fermave.
Problemi i Vetëvendosjes është se ata mendojnë se këto profile të rreme janë nën kontrollin e tyre.
A është departamenti i propagandës i VV-së, që ekziston në ‘sobat me kompjuterë’ ani pse i pa listuar në organogramin e partisë, i sigurt që ky përbindësh digjital ka besnikëri? Sot po hanë Time Kadrijajn, nesër do të hanë dikë brenda partisë që nuk duartroket mjaftueshëm fort, ose që guxon të ketë një mendim që devijon nga vija e partisë.
Dhe pikërisht këtu nis pyetja që mund të jetë shumë më e pakëndshme për Albin Kurtin sesa çdo vezë e hedhur në Kuvend: Çfarë ndodh kur realiteti politik e detyron vetë Kurtin të bëjë atë që për vite me radhë e ka kundërshtuar?
Marrëveshja e Ohrit është pikërisht një nga ato prova. Ajo nuk është thjesht një dokument diplomatik i panënshkruar ani pse i pranuar.Në kuadër të detyrimeve të saj, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kthyer vazhdimisht në tavolinën e Kosovës, pavarësisht se Vetëvendosje e ka luftuar për vite me radhë idenë e Zajednicës.
Po sikur një ditë faktori ndërkombëtar ta detyrojë Kurtin ta bëjë? A do ta pranojë atëherë makineria që për vite ka damkosur kundërshtarët si tradhtarë? A do ta kursejë gijotina digjitale vetë Albin Kurtin?
Kjo nuk është një pyetje krejtësisht hipotetike. Merreni rastin e të ashtuquajturit “Ligji për të Huajt”. I mbështetur fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, ky ligj mundësoi njohjen, në procedura të përshpejtuara, të dokumenteve të personave të lidhur me strukturat paralele serbe. Për kritikët, kjo ishte në thelb një formë amnistie administrative. Ajo që dikur do të përshkruhej si “legalizim i strukturave paralele”, sot paketohet me gjuhën teknike të integrimit evropian.
Dhe kjo është pikërisht ajo që e bën më të rrezikshme makinerinë propagandistike. Sepse ajo nuk funksionon me nuanca. Ajo nuk njeh “po, por”. Ajo njeh vetëm “tanët” dhe “tradhtarët”. Nëse sot Zajednica është tradhti, çfarë do të ndodhë nëse nesër duhet të zbatohet?
Nëse i ke thënë turmës për vite se një kompromis është tradhti, nuk mund të presësh që ai të kuptojë brenda 24 orësh se kompromisi është bërë papritur shtetformues. Kush do ta fshijë atë arkiv digjital? Kush do t’ua shpjegojë militantëve se ajo që dje ishte tradhti, sot është politikë shtetërore? Dhe kush do ta ndalë “toka.pe”-n e radhës që ta kthejë këtë kontradiktë në një fushatë kundër vetë atij që e ka drejtuar këtë makineri?
Kur Elvis Hoxha bie pre e propagandës që vetë e ka ushqyer, ky është sinjali se gijotina ka nisur të zbresë pa kontroll. Ju keni krijuar një ushtri që nuk di të ndalet, sepse urrejtja nuk njeh vetëpërmbajtje. Historia na ka treguar se çdo revolucion që bazohet te linçimi dhe rrena, përfundon duke e kërkuar kokën e radhës në radhët e veta.
Dhe ju, me “toka.pe”-të tuaja dhe me videot e montuara me Ceca, sapo keni mprehur thikën që do t’ju presë edhe juve. Sepse në fund, revolucioni i rrenave nuk ngopet kurrë. Ai kërkon gjithmonë një armik të ri. Dhe një ditë, nëse kundërshtari i fundit është zhdukur, do ta shpikë. Edhe nëse ai kundërshtar quhet Albin Kurti.