Insajderi
Lajme

Naftëtarët kërkojnë anulimin e vendimit për kontrollin e çmimeve, shqyrtojnë të kërkojnë kompensim nga shteti

Insajderi
10 August 2026 - 21:41
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Naftëtarët kërkojnë anulimin e vendimit për kontrollin e çmimeve, shqyrtojnë të kërkojnë kompensim nga shteti
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit për kontrollin e çmimeve të produkteve të naftës, duke pretenduar se masa po i dëmton rëndë bizneset dhe po cenon konkurrencën e lirë në treg.

Në një reagim, Shoqata ka thënë se vendimi nuk po sjell përfitime reale për konsumatorët dhe se, sipas tyre, nuk i plotëson kriteret ligjore për vendosjen e masave të tilla.

“Vendimi nuk plotëson asnjërin nga kriteret e përcaktuara në nenin 15 të Ligjit nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme. Gjithashtu është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ (QRK) nr. 03/2022, sipas të cilit masa të tilla mund të zbatohen për një periudhë maksimale prej 90 ditësh”, thuhet në reagim.

Naftëtarët kanë shtuar gjithashtu se, krahas rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, është rritur edhe pagesa që derdhet në buxhetin e shtetit.

Shoqata ka paralajmëruar se, nëse vendimi nuk anulohet, do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë juridike për kundërshtimin e masave dhe do të kërkojë kompensim për humbjet që, sipas saj, janë shkaktuar nga ky vendim.

“Nëse vendimi nuk anulohet, Shoqata do të shqyrtojë të gjitha mundësitë juridike për rregullimin e këtyre shkeljeve, si dhe të kërkojë kompensim për humbjet e shkaktuara nga këto masa”, thuhet në njoftim.

Shoqata ka bërë të ditur se mbetet e hapur për dialog me institucionet, ndërsa ka kërkuar që çdo vendim i ardhshëm për sektorin e naftës të bazohet në analiza profesionale, ligjshmëri, transparencë dhe konsultim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e industrisë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark