Deklarata e presidentit serb për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër që do të shkaktonte tharjen e Ujmanit u pa edhe nga gjermanët si pengesë për objektivin për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një përgjigje për Gazetën Express, ambasada gjermane u shpreh ngjashëm sikurse BE’ja për këtë çështje.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha se deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk i shërben objektivit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe bëri thirrje për përmbajtje nga këto deklarata që e pengojnë përparimin në dialog.
“Siç kemi deklaruar edhe më parë, Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj evropian. Për të përparuar në këtë rrugë, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. Deklaratat lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk e mbështesin këtë objektiv. Edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë përparimin e normalizimit përmes dialogut”.
Vuçiq të dielën ka deklaruar se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të – siç pretendon ai – “maltretimin e serbëve” në Kosovë.