Insajderi
Lajme

Hoti kërkon ndërhyrjen e Kushtetueses: Ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral

Insajderi
12 August 2026 - 15:29
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hoti kërkon ndërhyrjen e Kushtetueses: Ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që çështja e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës të dërgohet urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese.

Hoti ka deklaruar se ruajtja e kushtetutshmërisë duhet të jetë mbi çdo interes elektoral, duke e vlerësuar si shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese pamundësimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik.

“Duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, partia që ka dalë e para në zgjedhje e ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, çdo veprim pas skadimit të këtij afati bie në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses, ndërsa moskonstituimi i Kuvendit, nëse është i qëllimshëm dhe i motivuar nga interesa elektorale, nuk duhet të kalojë në heshtje.

Hoti ka kritikuar edhe deputetët, duke thënë se disa prej tyre, me veprimet e tyre, po e pamundësojnë qëllimisht konstituimin e Kuvendit dhe po shkelin betimin e dhënë më 6 gusht 2026 për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Ai ka përmendur edhe deputetët që, sipas tij, po e shkelin këtë betim përmes mosveprimit dhe mosadresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

“Dërgimi i kësaj shkeljeje në Gjykatën Kushtetuese mund të jetë në interesin e partisë së parë, pasi i mundëson asaj që, duke e prolonguar konstituimin e Kuvendit, të çojë vendin në zgjedhje në një datë të përshtatshme për të”, ka deklaruar Hoti.

Megjithatë, ai ka theksuar se, pavarësisht interesave të mundshme politike, prioritet duhet të jetë respektimi i Kushtetutës.

“Ruajtja e kushtetutshmërisë është para çdo interesi elektoral. Çështja duhet dërguar urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Hoti.

Deputeti i LDK-së ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të japë zgjidhje edhe për situatën kur partia e parë në zgjedhje nuk e shfrytëzon të drejtën e saj për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Hoti ka ngritur shqetësime edhe për funksionimin e institucioneve të tjera të vendit. Sipas tij, Kosova ndodhet me ushtrues detyre të Presidentit, me mandat të kontestuar pas 6 gushtit 2026. Ai argumenton se, pas betimit të 120 deputetëve, ish-kryetares së Kuvendit i ka përfunduar mandati në krye të këtij institucioni, funksion që i kishte mundësuar ushtrimin e detyrës së Presidentit.

Po ashtu, Hoti ka pretenduar se Kryeministri dhe ministrat në detyrë, të cilët më 6 gusht kanë dhënë betimin si deputetë, po e ushtrojnë detyrën në mënyrë të kundërligjshme, duke iu referuar për këtë çështje edhe një aktgjykimi të Gjykatës Supreme.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark