Insajderi
Op-Ed

Ftesa e Albulena Haxhiu: VV po, PDK e Aleanca jo, LDK ndoshta

Insajderi
15 August 2026 - 18:31
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ftesa e Albulena Haxhiu: VV po, PDK e Aleanca jo, LDK ndoshta
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nëse politika kosovare do të kishte një grup zyrtar në WhatsApp, njoftimi i fundit nga Albulena Haxhiu për takimin e së martës te Presidenca do të shoqërohej me atë heshtjen dramatike ku vetëm dy ose tre persona shkruajnë “typing…”.

Në pamje të parë, ftesa duket si një përpjekje rutinë institucionale për dialog, por përgjigjet e RSVP-së i ngjajnë më shumë ftesave për një mbrëmje mature ku gjysma e klasës nuk flasin më mes vete.

​E para që iu përgjigj ftesës me një “PO” të entuziazmuar ishte, siç edhe pritej, vetë Lëvizja Vetëvendosje. Befasia e shekullit!

Kur e organizon vetë festën, së paku je i detyruar të shkosh vetë, qoftë edhe vetëm për të parë nëse janë fshirë pluhurat te karriget e sallës.

​Në krahun tjetër, PDK-ja aplikoi taktiken e refuzimit të prerë: “JO, faleminderit.” Opozita e bëri të qartë se preferon të rrijë në shtëpi sesa të pijë kafe te Presidenca me këtë përbërje, duke ia mbyllur derën çfarëdo “kafeje strategjike” me pushtetin.

Aleanca (AAK), si çdo herë praktike, e pa mesazhin e PDK-së te grupi dhe bëri copy-paste pa humbur kohë. Pse të shpikësh rrotën kur mund të thuash thjesht “jemi busy”?

​Spektakli i vërtetë taktik, si gjithmonë, mbetet te LDK-ja. Pozicioni i tyre “Ndoshta… po e shohim” është arti i diplomacisë ku drita është edhe e gjelbër, edhe e kuqe njëkohësisht. LDK-ja e ka lënë ftesën te opsioni “Interested” në event, duke e mbajtur mesazhin në seen deri të hënën në mesnatë – thjesht për ta mbajtur tensionin lart dhe për të matur pulsin e opinionit publik.

​Përfundimi?

Takimi i së martës rrezikon të shndërrohet në një nga ato mbledhjet e punës ku vijnë vetëm organizatorët, shikojnë karriget e zbrazëta rreth tavolinës dhe pyesin njëri-tjetrin: “A thua e kanë marrë e-mail-in?”

Dialogu politik vazhdon të mbetet një teatër i parashikueshëm, ku secila palë luan rolin e vet të caktuar, ndërsa qytetarët mbesin thjesht spektatorë të një kafaje që nuk po pihet kurrë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark